Twitter do të lejojë që disa postime të bëhen me pagesë

Rrjeti social Twitter njoftoi se do t’u mundësojë përdoruesve t’i bëjnë me pagesë postimet me përmbajtje ekskluzive.

Veçoria e re do të quhet Superfollowers, apo Superndjekës.

Për të hyrë në përmbajtjen e caktuar, ndjekësit duhet të paguajnë një tarifë mujore.

“Superfollowersi do t’u mundësojë krijuesve dhe botuesve të mbështeten drejtpërdrejt nga audienca e tyre dhe do t’i stimulojë ata të vazhdojnë të krijojnë përmbajtje, që e do audienca e tyre”, tha Twitteri përmes një deklarate.

Twitteri ka qenë nën presion nga investitorët për të gjetur mënyra shtesë për të fituar para nga platforma, e cila ka disa qindra miliona përdorues në të gjithë botën.

Aksionet e Twitterit kanë qenë ndër performuesit më të dobët të teknologjisë, gjatë shtatë vjetëve të fundit.

Veçoria e re vjen në kohën kur ndikuesit në Internet kanë dalë në platforma të reja, si: Patreon, Substack dhe OnlyFans, për të përfituar nga ndjekja e tyre.