UEFA merr vendimin historik për Shqipërinë, FSHF sjell finalen e madhe europiane

“Air Albania Stadium” mirëpret finalen e “Conference League” në vitin 2022.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është mbledhur sot përmes video-konferencës dhe mori një vendim historik për Shqipërinë.

Finalja e “UEFA Conference League”, turneut më të ri europian për klube që do të nisë sezonin e ardhshëm, do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Air Albania” në vitin 2022.

Kjo është hera e parë në historinë e sportit shqiptar që vendi mirëpret një finale europiane të këtyre përmasave.

Shqipëria ishte një nga kandidatet kryesore për zhvillimin e kësaj finaleje, por arriti të lërë pas Irlandën e Veriut dhe Finlandën.

Në këtë mbledhje historike mori pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, njëherësh edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, i cili ka pasur një rol kyç duke lobuar vazhdimisht për këtë vendim.

Gjatë mbledhjes Presidenti Duka falënderoi të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv për mbështetjen që po i japin Shqipërisë dhe në veçanti futbollit shqiptar.

Një event i këtyre përmasave është një mundësi fantastike promovimi për Shqipërinë, që do të jetë në qendër të vëmendjes për disa ditë me radhë.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mori edhe disa vendime të tjera në mbledhjen e zhvilluar sot në lidhje me finalet e kompeticioneve të UEFA-s.

SYRI.net

Lini një Përgjigje