Ultimatumi i SHBA-së, kërkohet seancë e jashtëzakonshme për heqjen e taksës

0
437

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka qartësuar edhe një herë  qëndrimin e këtij shteti për taksën ndaj produkteve serbe.

Sot, përmes një letre ata kanë paralajmëruar edhe njëherë institucionet e Kosovës, se nëse nuk ka pezullim të taksës, atëherë mund të ketë pasoja, shkruan lajmi.net.

Kjo letër, vije pas deklaratave të kryeministrit Haradinaj se Kosova do t’i qëndrojë prapa vendimit për taksën, dhe se pa një marrëveshje që siguron njohje reciproke, nuk ka kthim prapa këtij vendimi.

Kjo letër, po shihet si vërejtja e fundit e dhënë nga SHBA-të për Kosovën.

Politologu, Ramush Tahiri, për lajmi.net thotë se pas vërejtjes së tretë të SHBA-ve, krejt çka mund të pasojë më tutje janë sanksionet.

“Javën e kaluar nuk u arrit ndonjë marrëveshje. Tash kjo është një vërejtje e tretë, një tekst konkret që nuk le dyshime. Vërejtje të katërt nuk ka, vërejtja e katërt janë vetëm sanksionet edhe pasojat. Edhe në këtë letër u tha qartë që askush nuk mund të sillet kundër interesave të amerikës, kjo i bije që askush nuk mund të flasë në emër të SHBA-ve”, vlerëson ai.

Tahiri thotë se Qeveria duhet të deklarohet konkretisht lidhur me kërkesën e SHBA-ve për taksën, pasi që sipas tij ata janë përgjegjës për idenë dhe vendosjen e saj.

“Qeveria mund të insistojë me kokëfortësi për ruajtjen e taksës dhe mos pezullimin e saj. Ky pezullim nuk do të thotë heqje e taksës ngase nuk është i përhershëm.  Ajo mund të rikthehet pas tre ose gjashtë muajsh”, thotë tutje Tahiri.

Duke iu referuar si ‘nënçmuese’, Tahiri shton se parlamenti në këtë situatë duhet të thërras mbledhje urgjente, dhe të marr përgjegjësi në kaosin e krijuar.

“Unë kisha propozu që parlamenti të thërras mbledhje urgjente. Ajo mund të bëhet për 24 orë, dhe të shohim se a po e mban përgjegjësinë e tij edhe parlamenti. Letra e SHBA-ve duhet të mirret me seriozitet dhe Kosova duhet ta përkrahë dhe të pezullojë taksën”, thotë ai.

E kundër heqjes së taksës është deklaruar edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Ai mbrëmë në një intervistë madje ka paralajmëruar se përveq taksës, Kosova do të shkojë në reciprocitet të plotë ndaj Serbisë.

Intensifikimin e presionit ndaj Prishtinës për heqjen e taksës e ka bërë edhe Bashkimi Evropian.

Këta të fundit tash e sa kohë kanë kërkuar heqjen e menjëhershme të kësaj takse dhe kthimin prapa të këtij vendimi.

E nga pala serbe tash e sa kohë kanë kushtëzuar vazhdimin e dialogut me kthimin prapa të këtij vendimi të Qeverisë.

I njëjti u ka shkaktuar atyre miliona euro humbje.