Unë, Ukshin Hoti dhe Hashim Thaçi

0
798

Shkruan: Haki Morina

Me shokë të vjetër, apo edhe me të rinjë më ndajnë vetëm botëkuptimet e ndryshme. Në jetën time kurr nuk e kam “anashkaluar” asnjë shok për interes të ngushtë, për interes karierist, apo çfardo interesi tjetër “joparimor”. Le të ma gjej dikush një dhe do të përgjigjem.
Ndoshta dikush mund të thot diçka të tillë, se “fjalët e hallkut dhe birat e gardhit” nuk mund të ndalen kurrë, por mund të them lirisht se njerëzit që anashkalojnë të tjerët kurr nuk “vetbraktisen”, sepse ata janë interesagji, dhe të tillët i ke sot me poste e me pasuri, e të rrethuar me miqë e shokë.

Njerëzit që “vetbraktisen” pa anashkaluar askënd, janë ata që nuk bëjnë kompromis me bindjet e tyre. Ata mund ta pranojnë vetizolimin por nuk mund ti ndërrojnë bindjet e tyre, siç i ndërron prostituta çorapet e saj.
Mua më shokët më ka bashkuar dhe më bashkon vetëm ideali. Rrugët me shokët e mij mund të ndahen vetëm nëse ndryshojnë në ndërkohë konceptet dhe botëkuptimet e tyre mbi jetën, shoqërinë dhe kombin.

*****
Ukshn Hotin, në vitin 1991-1992, e braktisën dhe e demonizuan vet shqiptarët. Dhe pasi e braktisën, e akuzuan për “vetbraktisje”. E izoluan në mënyrë të hekurt me një angazhim të organizuar politik e partiak, dhe më vonë kurr nuk kërkuan falje, edhe pse pas vdekjes e quajtën hero. Pas luftës e quajtën hero, se tradhtar se quanin dot, sepse pasi u burgos dhe u torturua tmerrësisht nga shovinistët serb, ai në fund edhe u vra dhe u zhduk prej tyre. E pra ai mund të quhej ose tradhtar, ose hero. Mes për të nuk kishte.Dhe bëhen tash sikur nuk dinë pse e izoluan. Bëhen sikur nuk dinë, sepse duan ta shtrembërojnë historinë e tij të vërtetë. Duan ta shtrembërojnë e mjegullojnë historinë e tij sespe në thelb ende mendojnë siç kanë menduar këtu e 30 vjet më parë.

***
E keqja është se kështu nuk ndodhi vetëm me Ukshin Hotin. Kështu ka ndodhur shpesh në historinë tonë, sepse janë po ata, të njëjtit demonë, që lanë trashëgimtarët e tyre brez pas brezi për të vazhduar gjuetinë kundër interesave kombëtare.

Përshembull kështu u veprua dhe veprohet ende me Hashim Thaçin, që u quajt vite me radhë kriminel dhe argat i Serbisë. Dhe jo vetëm që u quajt kështu, por në fund u dërgua në burg.
Dikush mund të thot që u burgos nga gjykata të cilën vet e votoj.

Jo jo! Askush nuk mund ta burgosë veten nëse nuk ka deponime kundër tij nga ana e të tjerëve.
E keqja nuk është vetëm pse ai u dërgua në burg me deponimet serbe kundër UÇK-së, por e keqja është se ju shtrua rruga kësaj burgosje me propagandë të rrejshme se gjoja ishte argat i Serbisë dhe i shërbente me zell qëllimeve të saj. Kjo propagandë u bë me qëllim që burgosja e Presidentit të kalonte në qetësi, e pa kurrfar kundërshtimi popullor.

Lufta kundër ish Presidentit të Kosovës nuk ishte luftë kundër tij. Ajo luftë kishte për qëllim relativizimin e rolit determinues të luftës së armatosur çlirimtare në lirinë dhe shtetformimin e Kosovës.

Si përfundim, u arrit që të izolohej figura kryesore e UÇK-së. U izolua që të mos ketë asnjë ndikim në poltikën e jashtme, ku ai tregoj që është talent. U izolua në politikën e brendshme, i cili me gjithë të metat, ai prap se prap përfaqësonte interesat e shtresave që kishin kontribuar për lirinë e Kosovës, dhe në fund u izolua nga partia që e krijoj, në mënyrë që të mos kishte mundësi ta reformonte dhe ta kthente përsëri në pushtet.

E dihet që pa Hashim Thaçin dhe fuqinë e tij, PDK nuk mund të reformohet, e as të kthehet në pushtet.
Këto shkrime të mija për Hashim Thaçin e di që do të më shkaktoj thellimin e “vetbraktisjes”, por nuk e kam ndërmend të flas e të shkruaj ndryshe nga ajo që mendoj.