“Ushtria digjitale” e Kurtit në front kundër gazetarëve

Kushdo që nuk pajtohet me politikat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të Qeverisë që ai drejton, “rrezikon të njolloset dhe të diskreditohet online”.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, thotë se “vigjilenca digjitale” e njerëzve në pushtet, të lidhur me pushtetin ose mbështetës të tij, është e pranishme në të gjitha platformat sociale dhe përdoret për të denigruar gazetarët kritikë ndaj Qeverisë, por edhe kundërshtarët e tjerë.

“Kjo është për keqardhje dhe thirrja jonë e vazhdueshme është që Qeveria të kërkojë që këto fushata të ndërpriten. Ne kemi arsye për të besuar se ato, në disa raste, mund të jenë të organizuara dhe të orkestruara, por, në shumicën e herëve, nisin nga një profil që mund të ketë më shumë popullaritet dhe, pastaj natyrshëm, vazhdohen nga profile të tjera që i ndajnë mendimet e njëjta me ata që e kanë nisur fushatën”,thotë Rexha për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

REL-i pyeti në Qeverinë e Kosovës se si i komentojnë pohimet e tilla, por as pas katër ditësh nuk mori përgjigje. Megjithatë, ato i hodhi poshtë partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje.

“Akuzat që ngrihen nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në drejtim të kryeministrit, për bindjen tonë janë të pabazuara. Ato duhet ta kenë barrën e dëshmisë, sepse ka një shpërputhje ndërmjet akuzave dhe situatës në terren. Republika e Kosovës, gjatë këtyre tre vjetëve të qeverisjes [së Lëvizjes Vetëvendosje], ka shënuar progres në drejtim të përmirësimit të së drejtës dhe lirisë së shprehjes”, tha zëdhënësi Arlind Manxhuka.

Ndryshe prej partisë së tij, disa raporte ndërkombëtare e konfirmojnë ndërhyrjen e tillë të pushtetit në sferën mediatike të Kosovës.

Freedom House publikoi muajin e kaluar raportin për lirinë e medias, ku, në fakt, listoi një sërë problemesh, me të cilat tha se u përballen gazetarët në Kosovë, gjatë vitit 2023.

“Përkundër faktit se Kosova ka një peizazh të larmishëm mediatik, në përgjithësi, liria e fjalës dhe shprehjes ka qenë disi e kufizuar… Shumë media hezitojnë të përfshihen në mbulim kritik për Qeverinë. Gazetarët dhe mediat hasin në disa pengesa – nga mungesa e sigurisë në veriun e tensionuar të Kosovës deri te fushatat denigruese të shpifjes nga Qeveria”, tha, mes tjerash, Freedom House.

Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin për të drejtat e njeriut, të publikuar po ashtu muajin e kaluar, citoi Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës të ketë thënë se “zyrtarë të Qeverisë, përfshirë kryeministrin dhe anëtarë të partisë në pushtet, janë angazhuar në fushata shpifëse për të minuar besimin e publikut në media”.

Abit Hoxha, profesor në Universitetin e Agderit në Norvegji dhe studiues i mediave, thotë se ka arsye të forta për të besuar në ekzistencën e një “ushtrie digjitale” në Kosovë, e cila mbështet vetëm një kënd të zhvillimeve – atë të Qeverisë.

“Së pari, ka disa burime shumë të sakta, ish-funksionarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët e konfirmojnë ekzistencën e një grupi që ka njëfarë vigjilence digjitale ndaj personave që nuk pajtohen me politikat qeveritare. Së dyti, janë grupe që shihen se janë të organizuara prej personave, që, në njëfarë forme, janë të lidhur me pushtetin. Këtu e kam fjalën për grupet në Facebook, që kanë për qëllim denigrimin posaçërisht të grave në politikë dhe të njerëzve që nuk pajtohen me çështje të ndryshme publike në Kosovë”, thotë Hoxha.

Jo më larg se në mars, Gjorgje Bojoviq, këshilltar për Ballkanin Perëndimor i Parlamentit Evropian, tha se ka qenë shënjestër e komenteve denigruese online – kryesisht nga Kosova – të cilat pretendonin se ai nuk është i përshtatshëm për pozitën, pasi i ka mohuar krimet e luftës në Kosovë, në vitet 1998/99.

Bojoviq tha se nuk e ka bërë një gjë të tillë, porse, përkundrazi, ka qenë i angazhuar në ndërveprime mes të rinjve nga Kosova dhe Serbia.

Pasi i doli në mbështetje Bojoviqit, bashkëthemeluesi i OJQ-së mediatike në Kosovë – Sbunker, Agon Maliqi, tha se është bërë, po ashtu, subjekt i një fushate të ngjashme denigruese dhe shpërndau në platformën X disa postime kundër tij.

Në mesin e atyre që reaguan ishte ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila tha se ky “linçim i organizuar kundër aktivistëve të shoqërisë civile në Kosovë dhe miqve të Kosovës nëpër rrjetet sociale, është i papranueshëm”.

Lini një Përgjigje