Ushtrim i përbashkët i njësive speciale të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë

Ushtrimi i përbashkët taktiko-demonstrues “Western Balkan’s Flash” të njësive speciale të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është mbajtur dje në Shkup.

Në këtë ushtrim, njësitë elite demonstruan aftësitë e tyre operative në tri situata, kur këto njësi intervenojnë në parandalimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë në luftën kundër krimit të organizuar.

Aty mori pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa, që theksoi se ky ushtrim i përbashkët tregon gatishmërinë e vendeve tona për të bashkëpunuar, shkruan KP.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, tha se ndihet krenar me promovimin e këtij aktiviteti, që kontribuon në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme e Shqipërisë, Rovena Voda, vlerësoi profesionalizimin e policive të tre shteteve gjatë demonstrimit të ushtrimit.