Vajza me origjinë nga Reçaku në Universitetin e Oxfordit

Familja e saj me origjinë nga Reçaku pranë Shtimës, tregon që veçmas trimave e luftëtarve për liri nxjerr edhe njerëz të etur për dituri dhe të konkurojne në nivelet më të larta të arsimimit botëror, shkruan albinfo.ch.

Në këtë intervistë të shkurtër po mundohemi të mësojmë më shumë perreth saj.

Gazetari – Përshendetje dhe përgezime për sukseset e tua. Fillimisht duam të dimë se ku dhe për çfarë po studioni?

Sabire – Unë studioj për Letersi Angleze, Histori Klasike dhe Filozofi në Kolegjin Trinity të Univesitetit të Oxfordit, nga kolegji ynë kanë dalë tre kryeministra për Britaninë e Madhe. Edhe kryeministri i tanishëm Boris Johnson ka studiuar të njëjtat lëndë sikurse edhe unë.

Gazetari – A ka qenë e vështirë të pranoheni në këtë kolegj?

Sabire – Tepër vështirë, për tu pranuar duhet të kalohen shumë teste e përzedhje. Sikurse edhe studentja dhe Nobelistja – Malala Yousafzai e cila citonte që e ka përjetuar më veshtirë përzedhjen në Oxford se sa mundimet që ka hequr pas atentatit në të cilën është qëlluar me plumb në kokë dhe ka qenë për disa javë në koma dhe më pas i është nënshtruar një seri operacionesh kirurgjikale shumë të komplikuara.

Gazetari – A mund të më flisni pak për familjen tuaj?

Sabire – Familja jonë është e vendosur në afërsi të qytetit të Leeds në West Yorkshire. Babai im ka ardhur në Britani të Madhe më 1995 dhe nëna Zejnepe Syla ka ardhur në 1999 gjatë luftës së Kosovës, ajo ka lindur në Reçak pranë qytetit të Shtimës. Ajo i ka përjetuar ngjarjet e rënda të masakrës së Reçakut dhe gjithmonë na flet për atë ngjarje aq shumë të dhimbshme.

Shumë kushërinj e të afërm të saj u masakruan në mënyrë çnjerëzore. Disa vjet më parë daja im më çoi për të vizituar varrezat e reja që janë ndërtuar në Reçak. Respekt të të rënëve të kësaj tragjedie. Një mesazh i dhimbshëm për tërë shqiptarët që nuk duhet të harrojnë të rënët që nuk kursyen as jetën për liri.

Gazetari – A ndihesh krenare që keni prejardhje shqiptare e rrënjë nga Kosova?

Sabire – Për çdo vit e tërë familja jonë shkon në Kosovë e në Shqiperi. Ne jemi shume të lidhur emocionalisht dhe ndjehemi shumë mirë gjatë qëndrimin tonë atje. Rruga e Kombit na e ka bërë shumë të lehtë për të vizituar dhe eksploruar edhe Shqipërinë. Prindërit e mi sa herë kalojnë aty falenderojnë për këtë rrugë që bëri të mundur bashkim gjeografik të shqiptarëve, e cila na ka ndarë për mijëra vjet.

Gazetari – A admironi personazhe shqiptare?

Sabire – Po, patjeter, Rita Ora është shumë frymëzuese dhe patriote, atë e kam ndjekur në koncertin për 100 vjetorin e Pavarësisë në Tiranë, por edhe Dua Lipen e kam pare në koncert në Prishtinë, më pelqejnë edhe Bebe Rexha, Elvana Gjata, Dhurata Dora, Ava Max etj,

Gazetari – A do dëshironit që në të ardhme të kontribuoni edhe ju për të mirën e shqipëtarëve?

Sabire – Unë jo vetëm jam me origjinë shqiptare, por edhe ndjehem e tillë. Nëse do të kem fatin e mirë për të dhënë sadopak ose shumë ndihmë, unë kurrë nuk do ta kursej atë.