Valdete Daka zyrtarizohet edhe për 7 vjet në krye të KQZ-së

0
393
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka emëruar të premten kryetare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakën. Të njëjtën nuk e ka bërë edhe me 10 anëtarët e këtij komisioni. 
Që nga fundi i muajit të shkuar, ligjërisht, KQZ-ja nuk ka qenë institucion funksional. Ajo pati mbetur pa kryetar dhe pa 10 anëtarët e vet, e të cilët përfaqësonin subjektet kryesore politike të shumicës dhe komunitetet. Megjithëkëtë, anëtarët edhe pas përmbylljes së mandatit kanë zhvilluar vizita jashtë vendit, duke u mbështetur nga buxheti i KQZ-së.
Kryetarja Daka për shtatë vjet ka qenë në krye të KQZ-së. Një ditë më parë ajo ka pasur një takim me presidentin Thaçi, ndërsa të premten në mëngjes është dukur sërish në zyrë, ku ka pranuar solemnisht vendimin për mandatin e ri.
“Presidenti Thaçi e ka marrë këtë vendim në mbështetje të nenit 84 (pika 26) dhe nenit 139 (paragrafi 3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 61 (paragrafët 1 dhe 2) të Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (GZ, Nr. 31, 15 qershor 2008), si dhe nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për presidentin e Republikës së Kosovës (GZ, Nr. 47, 25 janar 2009)”, thuhet në një komunikatë shtypi të Presidencës.