Varroset me nderime të larta veterani i UÇK-së, Tahir Murati

Nën përcjelljen e Togut të Nderit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me nderime të larta ushtarake dhe qytetare, sot është varrosur në varrezat e fshatit Beçuk të Komunës së Vushtrrisë, ish luftëtari i lirisë, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish pjesëtari i TMK-së, Tahir Murati, i cili ka ndërruar jetë dje në mëngjes, pas një sulmi në zemër në moshën 57 vjeçari.

Qindra qytetarë, anëtarë të shoqatave të dala nga lufta, pjesëtarë të FSK-së , të afërm dhe familjarë, i dhanë lamtumirën e fundit veteranit të UÇK-së .I ndjeri ishte ushtar në Batalionin e Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës.

Për jetën dhe veprën e të ndjerit, në emër të shoqatave të dala nga lufta në Vushtrri , ka folur bashkëluftëtari Sabri Asllani, i cili tha se vdekjen e pa pritur të bashkëluftëtarit tonë e pritëm me pikëllim të thellë. “Tahiri ishte i edukuar në frymën patriotike dhe atdhetare dhe ishte aktiv në zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë”, theksoi Asllani. “Ai ishte një luftëtar trim dhe shquhej për guximin dhe afërsinë që kishte me bashkëluftëtarët e tij, i cili i motivonte ushtarët për fitore në betejat e lavdishme të UÇK-së”, tha Asllani.

Ndërkaq, në emër të familjes dhe fshatit Beçuk foli bashkëfshatari i tij Beqir Asllani, i cili deklaroi se derisa po përgatiteshim për festimin e 10 vjetorit të pavarësisë, për të cilin dha kontribut edhe vetë Tahiri, morëm lajmin e pikëllueshëm për vdekjen e tij./fokusi.info/