Vazhdojnë dështimet e seancave të Kuvendit, edhe sot asnjë vendimmarrje

Sot, Kuvendi i Kosovës, nën udhëheqjen e nënkryetares Arbërie Nagavci, mbajti seancën e radhës, duke proceduar me pikat e rendit të ditës.

Seanca filloi punimet me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe me pyetjet e deputetëve, për anëtarët e kabinetit qeveritar.

Pas konsumimit të kohës dedikuar këtyre dy pikave, drejtuesja e seancës kaloi radhazi në trajtimin e pikave të tjera, si: shqyrtimin e dytë të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.03/L048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr.03/L-221, me Ligjin nr.04/L-116, me Ligjin nr.04/L-194, me Ligjin 05/L-063 dhe me Ligjin 05/L-007, pastaj në shqyrtimin e parë të Projektligji nr. 07/L-043 për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, si dhe shqyrtimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2020-2024. Pas arsyetimit të projektligjeve, sipas procedurës, folën kryetarët e grupeve parlamentare, të cilët shprehën qëndrimet e grupeve që përfaqësojnë, ndërsa më pas edhe deputetë të tjerë të Kuvendit. Por, në mungesë të kuorumit, për projektligjet e lartpërmendura dhe për (PKZMSA) 2020-2024, nuk pati vendimmarrje.

Më pas seanca vijoi punimet duke shqyrtuar këto raporte: Raportin vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, për vitin 2019, Raportin vjetor të Akademisë së Drejtësisë, për vitin 2019, Raportin vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2019, Raportin vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2019, Raportin vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2019, Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2019, Raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2019. Pas shqyrtimit të këtyre raporteve, kryetarët e grupeve parlamentare dhe deputetë të tjerë, shprehën qëndrimet e tyre rreth raporteve në fjalë.

Gjithashtu, në mungesë të kuorumit, për raportet e lartpërmendura nuk pati vendimmarrje.Fare në fund, në mungesë të kourumit seanca ndërpreu punimet duke mos shqyrtuar emërimin e Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT, si dhe duke mos hyre në procedurën e zgjedhjes së Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit.