Vëllai i gruas së Lumir Abdixhikut, punësohet në kabinetin e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka filluar që ta kompletojë kabinetin e saj.Në mesin e të punësuarve pranë Vjosa Osmanit, është edhe Rinor Kastrati, vëllai i gruas së Ministrit të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, shkruan Gazeta Blic.

Gazeta Blic, ka kontaktuar me vetë Rinor Kastratin, i cili e ka konfirmuar se është punësuar në kabinetin e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.

Ai ka pranuar se është familjar i Lumir Abdixhikut, duke thënë se ministri i Infrastrukturës është dhëndrri i tij.“Po jam punësuar në kabinetin e kryetares Osmani. Njëherë për njëherë jam pjesë e kabinetit të saj, për shkak që ende nuk na janë caktuar përgjegjësitë. Lumir Abdixhiku është burri i motrës sime”, ka thënë Kastrati në përgjigjen për Gazeta Blic.I pyetur për ndikimin politik në emërimin e tij, Kastrati ka thënë se është pjesë e LDK-së që nga viti 2017.

Madje, thotë se ka punuar në fushatën zgjedhore, në dy palë zgjedhje: ato të vitit 2017 dhe 2019.“Unë jam pjesë e LDK-së që nga viti 2017. Kam punuar për LDK-në në fushatën zgjedhore të vitit 2017 dhe 2019. Kam qenë pjesë e ekipit të fushatës zgjedhore të kandidates për kryeministre nga LDK, zonjës Vjosa Osmani”, ka shtuar Kastrati.

Ai ka folur edhe për përgatitjen e tij profesionale.“Unë fakultetin e kam përfunduar në AUK, masterin e kam përfundu në Amerikë, në drejtimin ekonomik-menagjment”, ka përfunduar ai.Vjosa Osmani, në zgjedhjet e fundit, ishte kandidate për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tani udhëheq me Kuvendin e Kosovës.Kurse, Abdixhiku, është emëruar si Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit.