Veprimtarja Shemsije Elshani: Si u njoha me Gjejlone Gjikokaj – Haradinaj

Veprimtarja Shemsije Elshani, e burgosur politike e viteve të 80-ta, ka evokuar kujtime të kohës së ilegalitetit, duke rrëfyer se si e ka njohur bashkëveprimtaren Gjejlone Gjikokaj, bashkëshorten e Nasim Haradinajt, përcjell Fokusi.info.

Shkruan Shemsije Elshani

Një koment në një status të Lirim Gashi u bë shkas të takoj një shoqe të studimeve. Ajo është Gjejlone Gjikokaj. Më lajmërohet ajo duke më kujtuar që diku në vitin 1982 kemi lexuar bashkë lajmëtarin e lirisë. Tjetër gjë s’përmendi. Nuk tha gjë për ato ditë që kisha qëndruar tek ajo në ilegalitet në dhomën e saj në konviktin numër pesë as për bukën që më sillte në dhomë fshehur, si nëpër filma.

Nuk më tha gjë që atë ditë kur u burgosa i kisha në trup teshat e saj, pantollona kadife të gjelbra dhe një xhemper të trashë të thurur. Ishte nëntor, bënte ftohtë, ndërsa mua më kishte zënë ky i ftohtë në Prishtinë me tesha të verës. Mundet që edhe i di por s’do t’ i përmendi. Dhe sa të madhe e bën kjo mospërmendje, s’e them dot me fjalë.

Kur dola prej burgut ajo ishte martuar me Nasim Haradinajn me të cilin kishte emigruar në Suedi. Edhe pse nuk e takova që atëhere, e ndjeja që është dikund. E ndjeja që një ditë kam për t’a takuar.

Dhe sot krejt papritur më lajmërohet në inbox dhe më shkruan me pak fjalë njohjen tonë.
Kam njohur gra të vogla që edhe një kafshatë bukë nëse t’a kanë dhënë ndonjëherë e kanë përmendur, ndërsa Gjejloni më përmend veç lajmëtarin e lirisë.

M’ u mbushën sytë me lot nga kjo madhështi.
Vendosa që për gjitha këto t’ i falenderohem publikisht dhe t’ i them që kur rrugët e miqësisë kryqëzohen në dashurinë për atdhe, ajo miqësi i reziston jo veç kohës, por edhe largësisë dhe bëhet e përjetshme.