Veriu në zgjedhje më 19 maj

Presidenti Hashim Thaçi brenda pak kohësh do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të katër komunave të veriut të vendit, kanë treguar burime të “Kohës Ditore”.

Në konsultë për këtë, aktualisht në zyrën e presidentit është kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

“Ne nuk e dimë arsyen përse, por sapo morëm informatën se Presidenti është i interesuar që menjëherë t’i shpallë zgjedhjet”, ka thënë një anëtar i KQZ-së. “Na thanë që vendimin do ta publikoj sot”.

Sipas informatave zgjedhjet në veri do të mbahen më 19 maj.

Kryetarët e këtyre katër komunave, Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potoku dhe Zveçan nga Lista Serbe, kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre më 27 nëntor të vitit të shkuar.

Shkas për dorëheqje, sipas tyre, ka qenë vendosja e taksës nga qeveria e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë.