Vërshime në Dukagjin dhe Shqipëri

Nga të reshurat e shumta të shiut janë shkaktuar vërshime në komunat e Deçanit dhe Junikut.

Kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj tha se bashkë me ekipet komunale nga mëngjesi ndodhet në terren pas vërshimeve që tha se kanë krijuar situatë emergjente.

“Për shkak të të reshurave të shiut është krijuar situatë emergjente. Nga mëngjesi ekipet janë në terren duke bërë përpjekje për menaxhimin e situatës”, tha Ramosaj.

Ai tha se shpreson që situata të përmirësohet, ndërsa tregoi në cilat fshatra po punohet kundër vërshimeve.

“Janë disa pika më komplekse në disa fshatra, Carabreg i Epërm, Prejlep, Baballoq dhe Isniq ku po punohet intensivisht. Shpresojmë që edhe të reshurat e shiut të ndalen”, tha Ramosaj per kallxo.com.

Ndërsa në Junik komuna njofton se lumenjtë Ereniku dhe Tava kanë dalë nga shtrati duke shkaktuar dëme në fshatrat nga kalojnë.

Juniku për shkak të vërshimeve e ka krijuar shtabin e emergjencës.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se që nga orët e hershme të mëngjesit në vendin tonë kanë filluar reshje të dendura te shiut, fillimisht në pjesën perëndimore të Kosovës duke shkaktuar formimin e shpejtë të rrëkeve në atë zonë dhe shkaktimin e vërshimeve të shpejta.

Ky institut ka njoftuar se pritet intensifikim i reshjeve fillimisht në këtë zonë e pastaj edhe në viset tjera të Kosovës.

Po ashtu, edhe në Shqipëri si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, janë shkaktuar vërshime. Si pasojë e reshjeve intensive të shiut 3 qarqe rrezikohen nga vërshimet e lumenjve.   Reshjet e shiut kanë përfshirë të gjithë hapësirën gjeografike të Shqipërisë.

Disa qarqe kanë sasi më të mëdha reshjesh, raporton oranews.

Instituti i Gjeoshkencave bën me dije se qarqet e Kukësit, Vlorës dhe Gjirokastrës kanë  mundësi vërshimesh të shpejta nga përrenjtë malorë.