Vërshimet në Rahovec, dëmet janë të mëdha (foto)

Shiu i rrëmbyeshëm i ditës së djeshme, ka shkaktuar mjaft dëme në komunën e Rahovecit.

Shiu i rrëmbyeshëm i ditës së djeshme që përfshiu tërë Kosovën, ka shkaktuar dëme në amvisëri dhe në bujqësi në komunën e Rahovecit.

Që nga mesdita e deri në orët e vona të natës, ekipet emergjente të kësaj komune kishin dalë në terren për të mbikëqyrur situatën dhe për të sanuar rreziqet e mundshme.

Smajl Latifi, kryetar i Rahovecit, ka thënë për lajmi.net, se ka dëme në amvisëri dhe në bujqësi mirëpo, akoma nuk dihet vlera e këtyre dëmeve.

Latifi po ashtu ka bërë të ditur se situata në këtë komunë është stabilizuar pas reshjeve të djeshme të shiut.

“Ka dëme në amvisëri dhe ka filluar komisioni me operu në vlerësim të gjendjes dhe dëmeve në amvisëri. Po ashtu ka dëme edhe në bujqësi edhe normalisht tash jemi duke bërë përpjekje me e ditë se çka dhe me e verifikuar gjendjen në kuptimin edhe me komisione profesionale”, ka treguar Latifi për lajmi.net.

Ai ka bërë të ditur se komisionet për vlerësimet e dëmeve veçse kanë dalë në terren mirëpo, Latifi shpreson që shumë shpejt të dalin edhe me vlerësimin e dëmeve.

“Komisioni për vlerësimin e dëmeve në amvisëri veçse dalë me mëngjes në terren dhe bile e kam zgjeruar dhe janë dy ekipe. Tash po shpresojmë që sa më shpejt komisioni ta sjell shumë shpejt raportin dhe më pas do ta dimë gjendjen reale se çka ka ndodhur pasdite dhe mbrëmjen e djeshme”, theksoi Latifi.

I pari i Rahovecit ka thënë se do ta kërkojnë ndihmën e Qeverisë për kompensimin e dëmeve pasi që as Rahoveci dhe asnjë komunë nuk ka fond emergjent.

“Ne do ta kërkojmë ndihmën e Qeverisë. Të them të drejtën ne dhe asnjë komunë nuk kemi fond emergjent dhe ne do të provojmë që të shikojmë se cilat janë vlerat dhe do të provojmë t’i dalim në ndihmë atyre që janë dëmtuar”, ka deklaruar Latifi.

Vlen të theksohet se komuna e Rahovecit ishte përballur me vërshime edhe vitin e kaluar mirëpo, Qeveria e Kosovës nuk i kishte kompensuar qytetarët 100 për qind.