Veseli, Besa Gaxherrit: Pesë pare për Gjykatën Speciale nuk i jepi

Kuvendi i Kosovës po vazhdon me seancën plenare,ku po diskutohet për projektligjin lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e ekipit dialogues.

E përplasje gjatë këtyre diskutimeve ka pasur mes kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe deputetës së LDK-së, Besa Gaxherri.

Kjo pas deklaratave të kësaj të fundit se Veseli ka bërë thirrje që të tërhiqet taksa.

E i shpejtë ishte edhe reagimi i Veselit. Madje ai premtoi dorëheqjen nëse diku gjindet deklarata ku ai ka bërë thirrje për heqjen e taksës.

“Merre dëgjoje shiqoje edhe një herë. Në qoftë se kam thënë me u tërheq taksa unë jap dorëheqje. Në qoftë se nuk kam thënë, për atë punë kam me fol une ma shumë. Ti kërko falje në seancën e rradhës sepse e ke mashtru opinionin”, tha ai.

Veseli nuk e përfundoi me kaq reagimin e tij.

“Mos folni për njerëz të gjallë, folni për të vdekur. Madje edhe për një kohë të gjatë jemi këtu. As për Gjykatën Speciale pesë pare nuk i jepi”, ka thënë Veseli.

Ndërkaq, në një deklarim të mëhershëm për media, Veseli tha se taksa ndaj Serbisë, duhet të pezullohet dhe varësisht nga sjellja e Serbisë të aplikohen masa reciproke.