Veseli: Fahriu e Bahriu kanë vepruar në një kohë, kur të paktë ishin ata që besonin tek lufta për liri

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në 20-vjetorin e rënies së heroit të kombit Bahri Fazliu, ka bërë nderime tek lapidari i dy heronjve, Fahri e Bahri Fazliu, në Llaushë të Podujevës.
Veseli, në fjalën e tij ka thënë se historikisht familja kosovare ka qenë qendër e rezistencës për liri dhe sipas tij një nga dëshmitë më të fuqishme të këtij fakti është familja Fazliu nga Llausha e Podujevës, në të cilën u rritën dy heronj të lirisë, Fahri dhe Bahri Fazliu.
Veseli ka thënë se Fahriu e Bahriu kanë vepruar në një kohë kur të paktë ishin ata që besonin tek lufta për liri.
“Fahriu ra dëshmor në fillimet e Lëvizjes sonë kombëtare për çlirimin e Kosovës, bashkë me ideologun e lëvizjes studentore, Afrim Zhitinë. Ata u bënë shembull i guximit dhe sakrificës për atdhe për të gjithë ne. Bahriu nuk u dekurajua nga humbja e vëllait të tij. Vazhdoi edhe më fuqishëm aktivitetin ilegal. Ishte njeriu i penës dhe i pushkës”, ka thënë Veseli.
Ai ka theksuar se 20 vite më parë, Bahriu ra dëshmor njësoj si Fahriu, por rruga për të cilën ai jetoi e veproi tanimë ishte hapur.
“Rruga e lirisë ishte bërë e pakthyeshme, falë veprimtarisë atdhetare të djemve të tillë si Fahri e Bahri Fazliu. Ne do t’i nderojmë gjithmonë, sepse përgjithmonë do të jetojë vepra e tyre e madhe: liria dhe pavarësia e Kosovës”, ka thënë Veseli.