Veseli në SHBA: Pa Amerikën s’ka marrëveshje finale me Serbinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që po qëndron për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme në Senatin Amerikan Bob Menendez.

Veseli me zyrtarin amerikan ka folur edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur përsëri rëndësinë që ka kontributi i SHBA-vë në këtë proces.

“Pa Amerikën nuk mund të ketë marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Involvimi direkt i SHBA-së në këtë proces është qenësor për realizimin e marrëveshjes e cila do të siguron njohjen e pavarësisë së shtetit të pavarur e sovran të Kosovës si dhe ulësen në OKB”, tha Veseli.

Kurse, senatori Menendez tha se është shumë me rëndësi që Kosova të jetë e gatshme për fazën finale të dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

“Ndihem shumë krenar që në vitin 2008 SHBA-të ishin ndër venet e para që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës. Mbështetja e SHBA-së për Kosovën do të vazhdoj edhe në të ardhmen”, tha Menendez.

Kryeparlamentari Veseli ka takuar edhe shumë personalitete tjera të larta gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Washington me ftesë të Kongresit Amerikan.

Lini një Përgjigje