Veseli takohet me rektorët e universiteteve publike të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot rektorët e universiteteve publike të Kosovës, me të cilët ka diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në procesin e akreditimit të programeve akademike.

“Sot pata një takim me rektorët e universiteteve publike të Kosovës. Shqetësimet e tyre rreth zhvillimeve të fundit në procesin e akreditimit të programeve akademike, janë shqetësime reale dhe duhet të adresohen për zgjidhje, pa humbur kohë.

Kuvendi i Kosovës nuk do të lejojë që të cenohet autonomia dhe vazhdimësia e universiteteve publike, as nga ndërhyrjet politike dhe as nga interesat e tjera të ndërlidhura me konkurrencën në arsimin e lartë në Kosovë.

Kriter i vetëm i konkurrencës duhet të jetë gara për cilësi reale dhe profilizim universitar, në përputhje me nevojat e ekonomisë së tregut.

I siguroj studentët e universiteteve publike se të drejtat e tyre do të mbrohen plotësisht! Ata duhet të vazhdojnë të qetë studimet e tyre. Universitetet publike nuk do të mbyllen. Ato vetëm do të zhvillohen edhe më shumë”!