Vështirësohet bashkimi familjar në Zvicër, ja çfarë dokumentash duhen tani

0
442

Procedura e bashkimit familjar në Zvicër, nuk është një proces i lehtë. Për këtë, do t’iu duhen një sërë dokumentesh dhe shumë durim… Albinfo.ch ka pyetur në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë dhe në atë të Kosovës në Zvicër për hollësitë e kësaj procedure

E Shtunë, 24 Gusht 2019 – 17:30 D.M(KEYSTONE/Ennio Leanza)
Dita-ditës, Zvicra po bëhet vend i pëlqyer banimi për shumë të huaj, e këtu nuk mungojnë as shqiptarët. Qindra aplikime për bashkim familjar po adresohen në Ambasadën e Zvicrës nga shtetasit e Kosovës.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, në Ambasadën Zvicerane në Kosovë, u trajtuan 1324 raste të bashkimit familjar. Madje, disa nga këto aplikime ende nuk kanë marrë përgjigje.

Këtë e ka konfirmuar për albinfo.ch George Farago nga Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës.

“Verën e kaluar i kemi trajtuar 1324 raste të bashkimit familjar. Mirëpo, e kemi të pamundur t’ ju themi se sa nga këto raste kanë marrë një përgjigje pozitive. Shumë dosje të vitit 2018 janë ende në pritje. Auditimet janë kryer për disa nga ata, kurse për disa të tjera janë paraparë. Duhet theksuar se dosjet e bashkimit familjar mbyllen te ne prej momentit kur i përcjellim në SEM (Sekretariati për Migracion). Autorizimet (dhënia e vizës D) nuk ndërlidhen me dosjet”, ka thënë Farago në një përgjigje për albinfo.ch.

Por, për të kërkuar bashkim familjar në Zvicër nuk është një proces aq i lehtë. Për këtë do t’ju duhen një sërë dokumentesh, pritje me orë para ambasadës, e ndonjëherë edhe pritje të gjata kohore për të marrë një përgjigje pozitive.

Albinfo.ch ka kontaktuar edhe Ambasadën e Kosovës në Zvicër, prej së cilës ka marrë sqarimin për dokumentet e nevojshme që duhet t’i ketë një person para se të aplikojë për bashkim familjar në Zvicër.

Bashkimi familjar tek i huaji me lejeqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Zvicër (lejeqëndrim B – C -F)

Kjo vlen për personat të cilët janë të martuar me një të huaj që jeton në Zvicër me lejeqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm, dhe dëshirojnë ta paraqesin kërkesën për bashkim familjar, si dhe për fëmijët e mitur të cilët dëshirojnë ta paraqesin kërkesën për bashkim familjar tek prindi që jeton në Zvicër me lejeqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm, shkruan albinfo.ch.

Dokumentet e nevojshme

– 3 formularë të plotësuar dhe të nënshkruar + 4 fotografi pasaporte

– Dokumenti i vlefshëm i udhëtimit + 3 kopje

– Dokumenti origjinal “ekstrakt nga regjistri qendror i gjendjes civile” + 2 kopje

– Dokumenti origjinal “certifikatë e lindjes”, i lëshuar nga shteti i lindjes + 2 kopje

– Dokumenti origjinal “certifikatë e vendbanimit” + 2 kopje

– Dokumenti origjinal “vërtetim nga arkivi” (me shënimet mbi gjendjen civile para kurorëzimit) i përkthyer në njërën nga gjuhët zyrtare të Zvicrës + 2 kopje

– Për personat që kanë qenë të shkurorëzuar: Fletëshkurorëzimi origjinal (me shënimin rreth plotfuqishmërisë), i përkthyer në njërën nga gjuhët zyrtare të Zvicrës + 2 kopje

– Për personat që kanë qenë të ve: Dokumenti origjinal “certifikatë e vdekjes” të bashkëshorti t/-es paraprak/-e, i lëshuar nga shteti (ku ka vdekur) + 2 kopje

– Në rast të ndryshimit të emrit: Aktgjykimi origjinal i ndryshimit të emrit, i përkthyer në njërën nga gjuhët zyrtare të Zvicrës + 2 kopje

– Dokumenti origjinal “deklaratë për bashkësinë familjare” + 2 kopje

– Dokumenti origjinal “certifikatë e martesës”, i lëshuar nga shteti ku është lidhur kurora + 2 kopje

– Dokumenti origjinal “certifikatë nga evidenca e personave kundër të cilëve është duke u zhvilluar procedura penale dhe personave të dënuar” i lëshuar nga Gjykata ku personi e ka vendbanimin. Origjinali + 2 kopje

– Formulari „Pyetje shtesë lidhur me bashkimin familjar“, i nënshkruar nga partneri i cili jeton në Zvicër

– 3 kopje të pasaportës së bashkëshortit/-e s në Zvicër

– 3 kopje të lejeqëndrimit të bashkëshortit/-es në Zvicër

– Dokumente shtesë: Për kantonet e ZH dhe JU: certifikata e kurorëzimit duhet të vërtetohet nga ambasada dhe kushton 36.00 EURO + 60.00 EURO për aplikim për vizë.

– Për kantonet e AG dhe TI: të gjitha certifikatat duhet të vërtetohen nga ambasada dhe kushtojnë 68.00 EURO + 60.00 EURO për aplikim për vizë.

Për fëmijët e mitur duhet edhe këto dokumente shtesë:

Nëse fëmija është lindur jashtë martese, pranimi i atësisë (procesverbali) + përkthimi në njërën nga gjuhët zyrtare të Zvicrës + 2 kopje

– Në rast se njëri prej prindërve nuk jeton në Zvicër, ai duhet të jetë prezent gjatë dorëzimit të dokumenteve të fëmijës dhe ta japë pëlqimin me shkrim që fëmija të shkojë për të jetuar në Zvicër përgjithmonë. Prindi duhet ta sjellë me vete një letërnjoftim të vlefshëm shtesë

Të gjitha dokumentet e gjendjes civile (përveç dokumentit “certifikatë lindjeje”) nuk bën të jenë më të vjetra se 6 muaj.

– Partneri i cili jeton në Zvicër duhet të interesohet në Qendrën e Statusit Civil përkatës për hapat e mëtutjeshëm.

– Për aplikim në Kosovë, nuk është e nevojshme prania e partnerit, i cili banon në Zvicër.

Vula apostile

Të gjitha dokumentet kosovare duhet ta kenë vulën apostile, qoftë të Ministrisë se Punëve të Jashtme ose të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, varësisht nga dokumenti/certifikata.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, në Ambasadën Zvicerane në Kosovë, u trajtuan 1324 raste të bashkimit familjar. Madje, disa nga këto aplikime ende nuk kanë marrë përgjigje. Këtë e ka konfirmuar për Albinfo.ch George Farago nga Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës.