Vetëm një muaj në Ukrainë dhe portieri nga Kosova shpallet më i miri

Vetëm një muaj në elitën e futbollit të Ukrainës, kaq i është mjaftuar portierit nga Kosova, Betim Halimi. Ky i fundit është shpallur si më i miri në muajin mars, sa i përket klubit të Olimpik Donestkut.

Futbollisti 23-vjeçar ka qënë më parë pjesë e Vllaznisë së Pozheranit dhe Dritës së Gjilanit.

Një hap i madh për karrierën e tij, pasi u transferua te skuadra ukrainase. Menjëherë drejtuesit e skuadrës i besuan një vend në skuadër, atje ku Halimi e ka shpërblyer në mënyrën më të mirë besimin.

Në tre takimet e zhvilluara, mes tyre edhe ndaj Dinamos së Kievit, shqiptari i Kosovës ka qënë nga më të mirët në fushë. Në bazë të votave të tifozëve, sipas asaj që raporton “Olimpik.com”, Halimi është lojtari më i dalluar i muajit mars.