Vetëvendosje nuk e njeh gazin lotsjellës si “mjet demokratik”, përjashton aktivistin që hodhi gaz lotsjellës

Dje në media u raportua se një aktivistë i Lëvizjes Vetëvendosje ka hedhur gaz lotsjellës gjatë procesit zgjedhor për Kryesinë e Qendrës në Ferizaj.

Lidhur me këtë, sot ka reaguar Vetëvendosje e cila ka njoftuar se pas sjelljeve të pahijshme, Komisioni Disiplinor ka marrë vendim për ta përjashtuar atë nga Lëvizja.

Këtë vendim komisioni e mori me arsyetimin se ka penguar mbajtjen normale të mbledhjes së Këshillit të Qendrës, dhe si person i paautorizuar ka ndërhyrë gjatë punimeve të Këshillit dhe se ka dëmtuar imazhin dhe integritetin e Organizatës me veprimet e tij.

Më poshtë njoftimi i plotë i VV-së:

LIDHUR ME PROCESIN ZGJEDHOR NË QENDRËN TONË

Pas zgjerimit e shtrirjes në rreth tridhjetë fshatra e lagje të Ferizajt, Lëvizja VETËVENDOSJE, Qendra në Ferizaj më 24 shkurt mbajti mbledhjen zgjedhore të Këshillit të Qendrës, në të cilën u kompletuan strukturat. Me një pjesëmarrje masive e si asnjëherë tjetër u zgjodhën Kryesia e Qendrës dhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm.

Rreth 100 delegatë ishin të pranishëm nga 116 gjithsej. Asnjë delegatë i Këshillit të Qendrës nuk kishte as vërejtje e as kundërshtime. Dhe përkundër përpjekjeve të pashpresa për të penguar punën e Këshillit të Qendrës, delegatët vazhduan punimet dhe në fund zgjodhën strukturat në një proces transparent, demokratik e të rregullt.

Nga fuqizimi e rritja e Organizatës e në përpjekje për ta zbehur e njollosur atë, pa kurrfarë arsye e argumenti, anëtari i deridjeshëm E. B., që nuk ishte as delegat i Këshillit e as pjesë e strukturave drejtuese, pasi që nuk arriti të pengojë punimet e mbledhjes, hodhi një bombolë gazi në fund të sallës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti më demokratik në vend, i cili e njeh dhe e respekton mendimin ndryshe dhe kritikën, por rregullat dhe dokumentet tona themeltare janë baza e organizimit dhe funksionimit tonë. Ndërsa përpjekjet për të penguar punën e strukturave dhe sjelljet e pahijshme, në kundërshtim me Statutin dhe Rregulloren janë të papranueshme dhe të palejuara.

Për sjelljet e pahijshme dhe antistatutore të anëtarit të deritashëm E. B., Komisioni Disiplinor ka marrë vendim për përjashtim nga Lëvizja VETËVENDOSJE! me arsyetimin se ka penguar mbajtjen normale të mbledhjes së Këshillit të Qendrës, dhe si person i paautorizuar ka ndërhyrë gjatë punimeve të Këshillit dhe se ka dëmtuar imazhin dhe integritetin e Organizatës me veprimet e tij. Ndërsa, anëtarëve L. C., P. C., K. C., si dhe R. R. iu pezullohet statusi i anëtarit deri në sqarimin e plotë të rastit.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra në Ferizaj do ta vazhdojë punën e saj në shtrirjen në çdo lagje e fshat, si alternativa e vetme për qytetarët e komunës së Ferizajt.