Vetëvrasjet në burgje, kritikohen institucionet për izolimin e personave me probleme mendore

0
138

Dy vetëvrasje dhe 17 tentime për vetëvrasje brenda burgjeve të Kosovës gjate këtij viti.

Kishte probleme me shëndetin mendor, por L.I. pavarësisht kësaj qëndroi në qendrën e paraburgimit në Prizren pasi akuzohej për një grabitje.

Ai të hënën në njërën prej banjove të kësaj qendre dyshohet se kreu vetëvrasje.

Lëndën e të ndjerit për ta gjykuar e kishte Gjykata Themelore në Prizren.

Por këta të fundit në një përgjigje elektronike për RTV Dukagjinin, thonë se nuk ishin në dijeni se tashmë i ndjeri kishte probleme të tilla shëndetësore.

Ky është rasti i dytë brenda këtij viti që të burgosurit kanë kryer vetëvrasje brenda objekteve të qendrave korrektuese.

Ushtruesi i detyrës në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Ali Gashi thotë se i ndjeri po qëndronte në qeli bashkë me dy persona të tjerë që po ashtu kishin disa probleme shëndetësore.

“Edhe dy kolegë të tij kanë pasur probleme të ndryshme shëndetësore, por personeli shëndetësorë nuk ka paraparë se ekziston rreziku që këta të tentojnë vetëvrasjen. Por e kemi pasur edhe problemin tjetër se këta persona nuk është e udhës t’i vendosim në qendra të paraburgimit me persona tjerë”, deklaroi Ali Gashi.

Ai deklaroi se raste të tilla gjatë dy viteve të fundit kanë qenë pesë.

Edhe avokatja Fehmie Gashi-Bytyçi e cila po mbronte një person me probleme të shëndetit mendor që më pas ndërroi jetë në qendrën e paraburgimit, shprehet e shqetësuar me fenomenin.

“Edhe në këtë rast e konsideroj se është bërë shkelje morale që një person me probleme psikike të jetë në burg si personat tjerë. Në anën tjetër është edhe antiligjore. Edhe në raste tjera si me rastin e klientit tim Murat Jashari që është mbajtur në burg ka pasur përfundime të tilla. Gjykata Supreme në bazë të kërkesës sime e detyroi gjykatën e shkallës së parë që Murat Jasharin ta dërgojë në institutin e Psikiatrisë Forenzike, por pas nëntë muajsh tashmë ishte vonë”, deklaroi avokatja.