Vlera e koeficientit të pagave ende mbahet sekret, këto janë tri opsionet që po diskutohen

184

Në më pak se tri javë pritet të hyjë në fuqi Ligji i ri i pagave në Kosovë, por asnjëri prej punëtorëve në sektorin publik nuk e di se sa do ta ketë pagën.

Ligji, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, nuk e ka përfshirë vlerën e koeficientit, e cila përcakton një tavan deri ku mund të paguhet një punonjës i shtetit.

Si i tillë, Ligji është dekretuar tashmë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, se vlera monetare e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, por nuk jep detaje se sa mund të jetë ajo.

Sipas Ligjit për buxhetin e vitit 2023, i miratuar po ashtu në dhjetor të vitit të kaluar, buxheti i përgjithshëm për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro.

Aktualisht, paga mesatare bruto në Kosovë është rreth 480 euro në muaj.

REL ka marrë vesh nga burime brenda institucioneve të Kosovës se vlerat e diskutuara monetare të koeficientit janë 100 euro, 120 euro dhe 130 euro. Shuma e caktuar do të shumëzohej pastaj me nivelin e koeficientit – që varion nga 2 deri në 18 – dhe do të prodhonte vlerën e pagës.

Përfaqësues të punëtorëve kritikojnë Qeverinë për mospublikimin e vlerës së koeficientit dhe mospërfshirjen e saj në ligj.

“Jemi në pritje, urojmë që [koeficioneti] të mos jetë më i ulët se 120 euro”, thotë Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK).

Me këtë vlerë të koeficientit, thotë ai, pagat në sektorin e arsimit do të rriteshin.

Për shembull, mësimdhënësit në arsimin e mesëm të ulët, nivelin e koeficientit e kanë 5.6. Paga e tyre është 530 euro – me vlerën monetare të koeficientit 120 euro, ajo do të rritej në 672 euro.

Gashi: 120 euro na ka thënë kryeministri

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Administratë Publike, Ali Gashi, thotë se kjo organizatë ka kërkuar që vlera monetare e koeficientit të jetë 130 euro, por se për të nuk ka marrë garanci.

“Në një takim me kryeministrin [Albin Kurti] e kam pyetur se sa do të jetë vlera e koeficientit dhe më ka thënë përafërsisht 120 euro. Nëse nxirret një vlerë e koeficientit jo e dinjitetshme, atëherë jemi mashtruar nga Qeveria”, thotë Gashi.

Ligji paraprak për pagat e shërbyesve civilë, i cili më pas është shfuqizuar, e ka pasur vlerën monetare të koeficientit 239 euro për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji.

Ky ligj është miratuar në shkurt të vitit 2019, por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të vitit 2020 – institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç ka thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.

Edhe për Ligjin aktual për pagat, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), më 6 janar, ka deponuar tek Avokati i Popullit kërkesë për fillimin e hetimeve për, siç ka thënë, shkelje të të drejtave të njeriut.

IKD-ja, në këtë kërkesë, ka vlerësuar se Ligji cenon sigurinë juridike të nëpunësve të sektorit publik, duke mos e përcaktuar vlerën monetare të koeficientit.

IKD-ja, po ashtu, ka thënë se ka gjetur se Ligji në fjalë përmban disa dispozita, të cilat paraqesin trajtim të pabarabartë të nëpunësve të sektorit publik – aspekt ky që, sipas IKD-së, paraqet shkelje të nenit 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Institucioni i Avokatit të Popullit konfirmoi se e ka pranuar këtë kërkesë dhe tha se do ta shqyrtojë “brenda afatit ligjor”, që është 30 ditë.

Raporti i koeficienteve 2-18

Me Ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve sillet nga 2 deri në 18 – më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit. Më i ulëti, ndërkaq, u takon pozitave si: rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.

Paga e një punëtori do të llogaritet duke e shumëzuar nivelin e koeficientit të pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

Ligji për paga zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).

Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë edhe projektligjin që do t’i hapte rrugë rritjes së pagës minimale, por nga qershori i vitit të kaluar – kur ka ndodhur kjo – nuk ka pasur ndonjë zhvillim tjetër.

Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 deri në 170 euro. Kjo vlerë, e pandryshuar qysh në vitin 2011, është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.