Vlora Çitaku flet për herë të parë pas skandalit me ‘njohjen’ nga Xhamajka

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka folur për herë të parë për rastin me shtetin e Xhamajkës si dhe për kritikat qe ka marrë nga shumë zyrtarë të Vetëvendosjes në Qeveri.

Çitaku thotë se do te vjen dita kur do te sqarohet gjithçka rreth kësaj njohje por edhe gjithë punës së ambasadës. Ajo i është përgjigjur edhe zëvendëskryeministrit Haki Abazi, që tha se Çitaku më shumë përfaqëson presidentin Thaçi në SHBA se Kosovën, shkruan Reporteri.net.

Më poshtë postimin e Çitakut para pak minutave:

“Zëvendës Kryeministri i Kosovës, z.Haki Abazi qenka marrë pak me mua. Më paska quajtur mua dhe Ambasadën në SHBA instrumente në shërbim të Presidentit, e jo të Kosovës.

Nuk është hera e parë që z.Abazi merret me mua dhe shpif kundër meje. Nuk e kam kuptuar ende pse. Nuk i jam përgjigjur më herët sepse z.Abazi nuk ka mbajtur post publik dhe nuk ka pasur përgjegjësi publike.

Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamjaka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje.

Çdo gjë do të sqarohet me kohë.

Zv Kryeministrit i them publikisht, meqë asnjëherë, si zv Kryeministër, nuk më ka kontaktuar që ta sqarojë situatën në fjalë, nëse nuk dëshiron të kontaktoi me mua, atëherë le ta kontaktojë Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Për më tepër, është e ditur botërisht që unë jam emëruar Ambasadore përmes çelësit politik, njësoj si shumë Ambasadorë tjerë. Kjo nuk është shkelje apo diçka e jashtëzakonshme. Në fakt, është e rregulluar me ligj. Si Ambasadore, unë i kam shërbyer Kosovës. Kam punuar me nderë tërë jetën time. E tillë do të vazhdoj të jem.

Nuk do të lejojë që puna dhe mundi i kolegëve të mi të njolloset e të përbaltet. Është e frikshme kur institucionet baltosen për inate politike e personale.

Jam shumë krenare me punën e kolegëve të mi dhe asnjëherë nuk do të dorëzohem para shantazhit publik.

E kam thënë edhe më herët, të jem Ambasadore e Kosovës në Washington DC është nderi i jetës sime.”

Lini një Përgjigje