Volker: Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet sivjet

I ngarkuari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, Kurt Volker, ka thënë se ekziston mundësia që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve dhe se një gjë e tillë do të varet nga përkrahja që do ta kenë dy vendet.

Ish ambasadori amerikan në NATO, Volker duke folur për Zërin e Amerikës, duke folur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë ka thënë se nuk ka kthim në të kaluarën dhe se marrëveshja është e rëndësishme për të dyja vendet për shkak të stabilitetit dhe rrugës drejtë Bashkimit Evropian.

“Gjithçka varet nga ajo çfarë do të vendosin dy vendet [Kosova dhe Serbia]. Ekziston një rregull, në përputhje me marrëveshjen dhe dokumentet e tjera, se kufijtë nuk guxojnë të lëvizin me forcë, sikurse ka ndodhur me aneksimin rus të Krimesë. Kjo nuk guxon të ndodhë. Nëse dy vendet përmes bisedimeve arrijnë marrëveshje, sipas modelit të ndarjes së Sllovakisë nga Çekia, ne të tjerët duhet të pajtohemi dhe respektojmë këtë”, tha Volker.