Vrasja e vëllezërve në Malishevë, Policia arreston dy fqinjë të viktimave

​Dy persona të dyshuar janë arrestuar për vrasjen e dy vëllezërve Maloku që ndodhi në shtëpinë e tyre, të premten pas mesnate, në Plloqicë të Malishevës
Arrestimin e dy të dyshuarve e ka konfirmuar për Gazetën Express, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Selimaj.

Të arrestuarit janë fqinjë, nga i njëjti fshat prej nga vijnë viktimat Shani Maloku, 44 vjeç dhe Bahri Maloku, 33 vjeç, raporton Gazeta Express.

Express merr vesh se vëllezërit nga Malisheva u vranë nga hajnat që kishin hyrë të plaçkitnin në shtëpinë e tyre në Plloqicë.

Arsyet e vrasjes së dyfishtë ende nuk dihen, mirëpo mësohet se viktimat janë Shani Maloku, 44 vjeç dhe Bahri Maloku, 33 vjeç.

Njëri nga vëllezërit ka ndërruar jetë derisa është dërguar në shtëpinë e shëndetit në Malishevë, ndërsa tjetri ka ndërruar jetë në QKUK.

Bëhet e ditur se njëri prej tyre ishte pjesëtar i FSK-së.

Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se njëri prej personave të vrarë është pjesëtar i FSK-së.

“Po mund të konfirmojmë se ka ndodhur ky rast, ka ndodhur vrasja e tetarit Shani Tafil Maloku i datëlindjes 1973 nga fshati Plloqicë e Malishevës. Ky ka qenë duke shërbyer në kazermën e FSK-së në Pomozetin, në Regjimentin e Mbrojtjes Civile, Njësia MKAB (Njësia për Mbrojtjes Kimike Atomike Biologjike)”, ka thënë Shala.

Sipas tij, Maloku ka qenë përpara ish-pjesëtar i TMK-së, kurse gjatë kohës sa ka shërbyer nuk ka pasur ndonjë masë disiplinore, por ka pasur vetëm masa stimulative