Vrasja në Deçan, gruaja e të ndjerit thotë se nuk ishte aksidentale

Bashkëshortja e tani të ndjerit Agonis Tetaj, Albesa Cacaj, ka kundërshtuar deklarimet e të akuzuarit Shaban Gogaj dhe të disa prej personave të tjerë, që siç ka thënë ajo, vrasjen e bashkëshortit të saj, e kanë cilësuar si aksidentale.

Ajo ka dhënë dëshminë e saj në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Pejë.

Për vrasjen në Deçan, që kishte ndodhur në shtator të vitit 2018, Shaban Gogaj, akuzohet për dy vepra penale, atë të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa Jusuf Cacaj, akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Dëshmitarja Cacaj, në cilësinë e të dëmtuarës, ka thënë se fillimisht kishte menduar se vrasja e burrit të saj kishte qenë aksidentale, mirëpo që kishte ndryshuar mendim kur kishte parë video-incizimet e rastit.

Ajo ka thënë se është fyerje për të, pasi për një kohë të gjatë ishin munduar ta demaskonin rastin, siç ka thënë ajo, për ta cilësuar si vrasje aksidentale.

Ajo ka shtuar se pas rastit, kishte reaguar edhe kryetari i Komunës së Deçanit, i cili e kishte cilësuar si vrasje aksidentale, sipas saj, pa filluar ende hetimet.

“Në rrjete sociale ka dal kryetari i Komunës së Deçanit dhe ka deklaru se është vrasje aksidentale për të ndikuar në opinion”, ka thënë ajo.

Sipas saj, dikush po dëshiron me qëllim që kjo vrasje të cilësohet si aksidentale.

“Kish qenë shumë më e drejtë prej fillimit, kanë mujt mu deklaru se vrasja ka ndodh, si ka ndodh, e jo me than se është aksidentale. Incizimi është aty, nuk mundesh me i ikë. Është tepër e rand pse nuk po e pranojnë të vërtetën. Për mua do të ishte lehtësi. Kjo është e turpshme”, ka shtuar ajo.

Ajo ka thënë se është presion për të dhe familjen e saj se si po kamuflohet situata, duke e cilësuar vrasjen si aksidentale, pasi sipas saj, kur i kishte parë incizimet pas tetë muajsh nga ngjarja kritike, ishte bindur dhe e qartë se nuk bëhej fjalë për vrasje aksidentale. /Betimi për Drejtësi/

Seanca e së mërkurës, pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Në seancën e mbajtur më 4 tetor 2019, i akuzuari Shaban Gogaj, ishte deklaruar i pafajshëm, duke thënë se vrasja kishte qenë aksidentale.

Kurse, i akuzuari për armëmbajtje pa leje, Jusuf Cacaj, e kishte ka pranuar fajësinë, mirëpo sipas tij, ajo armë të cilën e kishte poseduar ishte me gaz dhe sikur ta kishte ditur se nuk është e vërtetë ai do ta legalizonte.

Ky deklarim i të pandehurit Cacaj kishte bërë që kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova ta refuzonte pranimin e fajësisë, pasi në dispozitivin e aktakuzës nuk ceket se arma për të cilën akuzohet është me gaz,.

Këtë çështje penale fillimisht e ka përfaqësuar Prokuroria Themelore në Pejë, por me arsyetimin se ajo ka shfaqur njëanshmëri, kërkesë për përjashtimin e saj nga ky rast, kishte bërë mbrojtësi i të akuzuarit Gogaj, avokati Besnik Berisha, të cilën kërkesë e kishte aprovuar Prokuroria e Apelit.

Tashmë kjo lëndë është duke u përfaqësuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Sipas aktakuzës së ngritur Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, e akuzon të pandehurin Shaban Gogaj se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj, dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë, nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut, kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e repeton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.

Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë, dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr dhe menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme.

Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Blow TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.