Vritet një person në rrugën Prishtinë-Ferizaj, policia jep detaje

Rreth orës 07:30 policia është informuar për një plagosje me armë zjarri në rrugën Prishtinë-Ferizaj.

Si pasojë e të shtënave me armë është plagosur një person, A.S shtetas i Kosovës i cili nuk arriti t’i përballojë plagëve të marra nga arma e zjarrit dhe ka ndërruar jetë.

Rasti në fjalë është konfirmuar për Indeksonline nga zëdhënësja e policsië për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 07:30, policia ka marrë informacionin për një plagosje me armë zjarri në rrugën Prishtinë -Ferizaj. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me plagosje nga arma e zjarrit ku është plagosur viktima: A.S, mashkull , shtetas i Republikës së Kosovës, i cili duke mos mundur tu përballoj plagëve të mara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK”, tha Ahmeti.

Tutje ajo shtoi se lidhur me këtë ngjarje policia ka arrestuar dy persona të dyshuar dhe ka konfiskuar një armë që dyshohet të jetë përdorur në rast.

“Aktualisht hetuesit policor, janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili nga ana e Prokurorit të shtetit është cilësuar si Vrasje e rëndë”, shtoi Ahmeti.

Lini një Përgjigje