Vuçiq: Nuk mund ta njohim Kosovën e të mos fitojmë diçka

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka lënë të kuptohet se nuk e përjashton mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, por se ka deklaruar se Beogradi duhet të fitojë diçka si kundërshpërblim.

“Para së gjithash ekziston mundësia për kompromis. Nuk mund ta njohim Kosovën, e të mos fitojmë diçka nga pala tjetër”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për agjencinë italiane ANSA, shkruan Danasi serb.

Vuçiq po ashtu ka deklaruar se çështja e ndryshimit të kufijve është një temë kontravrese, pasi që nuk i njohin të gjithë kufijtë e njëjtë, varësisht nga ajo nëse e kanë njohur Kosovën ose jo.

“për dallim nga liderët e Kosovës të cilët çdo ditë po i mashtrojnë qytetarët e tyre me premtime jo reale, se Prishtina do të fitojë gjithçka e Beogradi asgjë, detyrë e imja është që serbëve t’ua shpjegoj kuptimin e kompromisit me Kosovën, i cili nuk përbën as fitore as humbje. Fitore për të ardhmen e Serbisë”, ka thënë tutje Vuçiq.

Vuçiq ka mohuar se ka pasur takime sekrete me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, siç shkruajnë disa media, dhe i ka përshkruar si “rrenë e kulluar” pretendimet e ekzistimit të një drafti të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka përsëritur se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të vazhdojë derisa qeveria e Kosovës nuk e tërheq taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.