Vuçiq: Nuk na duhet konflikt i ngrirë me Kosovën, ato përfundojnë me qindra e mijëra të vdekur

0
130

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot në Beograd, pas një takimi me Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, se Serbia është e përkushtuar për dialog mbi çështjen e Kosovës sepse, siç vlerësoi ai, konfliktet e ngrira përfundojnë në “qindra e mijëra të vdekur”.

“Jemi të përkushtuar për një dialog me Prishtinën nën kujdesin e Brukselit. Ne ishim gati për dialog në maj, do të jemi gati në qershor dhe gjithmonë, sepse ne besojmë se asnjë konflikt i ngrirë nuk është i mirë. E shihni se si përfundojnë, çdo pesë vjet dikush i shkrin dhe ato përfundojnë me qindra e mijëra të vdekur. Nuk na duhet kjo”, tha Vuçiç në një konferencë të përbashkët shtypi me Pahor, raporton Danas.

Vuçiq pati thënë edhe më herët se nuk dëshiron konflikt të ngrirë me Kosovën, e cila sipas tij çon në përshkallëzimin e saj, për çka ka marrë kundër reagime nga diplomatët kosovarë.

“Nuk duam që kjo të na ndodhë dhe të na befasojë. Prandaj nuk angazhohemi për një konflikt të ngrirë, por duam një zgjidhje kompromisi dhe të këmbëngulim në procesin që zhvillohet nën përkujdesjen e BE-së”, pati deklaruar ai.

Kosova dhe Serbia pritet të ri-nisin dialogun nën ndërmjetësinë e BE’së përgjatë muajit qershor, takim ky të cilin e ka parë me optimizëm ndërmjetësuesi special i unionit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ky i fundit pati deklaruar se marrëveshja finale ndërmjet dy palëve pritet të arrihet në fund të këtij viti.