Vuçiq polemizon me Kohën Ditore

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka komentuar raportimin e Kohës Ditore, sipas të cilit qëndrimi gjerman për çështjen e kufijve nuk ka ndryshuar.
“Imagjinoni sikur Merkeli t’i tregojë Kohës Ditore se çfarë ka biseduar me mua”, ka thënë Vuçiqi, vetëm për të shtuar se qëndrimet e Gjermanisë, janë të njohura dhe ato i janë konfirmuar në takim.
“Nuk i ndryshon ajo qëndrimet e saj çdo ditë, e as unë nuk e bëj këtë. Të dy e dimë që nuk kemi pozicioni krejtësisht të njëjta për Kosovën”, ka thënë Vuçiqi në Davos.
Ai pohoi se Kosovën e pavarur në kufijtë aktualë nuk do ta njohë kurrë.
Koha Ditore, duke u thirrur në burime të sigurta ka raportuar sot se ndryshimi i kufijve të Kosovës është i papranueshëm për Berlinin. Ky ka qenë mesazhi që kancelarja Merkel ia ka përsëritur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në takimin e tyre të mbajtur të mërkurën, në Davos të Zvicrës.
Takimi i mbajtur në margjinat e Forumit Botëror Ekonomik të Davosit është shfrytëzuar nga kancelarja gjermane mes të tjerash për t’ia qartësuar presidentit serb se pozicioni gjerman rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe marrëveshjes së paralajmëruar përfundimtare nuk ka ndryshuar, ka shkruar Koha Ditore, në numrin e sotëm.
Një burim i mirinformuar i ka thënë gazetës se në takim Merkeli ia ka kujtuar Vuçiqit pozicionin e Berlinit se ndryshimi i kufijve të Kosovës është i papranueshëm. Korrigjimi i kufijve apo këmbimi i territoreve është i papranueshëm për Qeverinë gjermane, ka thënë burimi.

Lini një Përgjigje