Vushtrria mobilizohet për rikthim në Superligë, sot luan në barazh me Flamurtarin

0
317

Sot në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas (Gllogoc) luhet ndeshja e parë e barazhit ku përballë do të jenë Vushtrria dhe Flamurtari.

Ish skuadra e Milot Rashicës, Vushtrria, e cila drejtohet nga trajneri i mirënjohur, Isa Sadriu kërkon rikthimin në Superligë pas dy viteve dhe për ta bërë një gjë të tillë është mobilizuar i gjithë qyteti i Vushtrrisë për të shkuar në mënyrë sa më të organizuar në Drenas.

Megjithatë nuk do të jetë aspak e lehtë për Vushtrrinë, pasi përballë do ta ketë Flamurtarin, i cili në ndeshjet e fundit të kampionatit kapi një formë të mirë duke arritur që ta sigurojë këtë ndeshje Play Out-i, edhe pse shumë ekspertë mendonin se Flamurtari nuk ka gjasa.

Të dyja skuadrat janë në emocione të pakufishme sepse gabimi më i vogël do të jetë i kushtueshëm qoftë për njërën palë qoftë për skuadrën tjetër.

Vushtrria, e cila në edicionin 2013/14 fitoi titullin e kampionit me Ismet Munishin dhe trajneri vushtrrias Bekim Shotani në stol, kur skuadra atëherë quhej Llamkos Kosova, do ta ketë përkrahjen e madhe të tifozëve. Atyre me short u është caktuar tribuna e madhe e stadiumit të Feronikelit, e cila pritet të jetë përplot me grupin e flaktë të tifozëve “Forca” që janë ndër më të zëshmit në Kosovë.

Përkrahje do të ketë edhe Flamurtari nga tifogrupi “Armata Kuqezi” të cilët të mërkurën do t’i qëndrojnë afër skuadrës së tyre. Flamurtari që ishte rikthyer sivjet në elitën e futbollit kosovar, edicionin e mbylli në vendin e dhjetë me 25 pikë, ndërsa Vushtrria ishte e treta në Ligën e Parë me 60 pikë.

Sulmuesi i Vushtrrisë, Labinot Osmani, ka deklaruar se: “Do të bëjmë përpjekje maksimale që të rikthehemi në Superligë”. Vushtrria ka studiuar në imtësi skuadrën kuqezi dhe shpresojnë ta ndëshkojnë në çdo gabim të tyre. “Mendoj që grupi i lojtarëve është mjaft i mirë, kështu që besojmë në forcën e grupit”, ka deklaruar Osmani.

Vushtrria – Flamurtari luhet sot ( e mërkurë) 23.05.2018 në Drenas me fillim nga ora 16:00 dhe transmetohet direkt në Supersport dhe Supersport Kosova.