VV organizon nisje me autobusë nga Gjermania për zgjedhjet e 14 shkurtit

Vetëvendosje ka organizuar udhëtime nga Gjermania për mërgimtarët që do të votojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit, e të cilët janë përkrahës të saj.

Qendra në Gjermani e Vetëvendosjes ka publikuar madje orarin dhe lokacionet e nisjeve që tashmë janë organizuar, shkruan lajmi.net.

Siç kanë thënë nga VV, udhëtimet do të jenë falas.

Postimi i plotë:

KREJT DREJT KOSOVËS ME AUTOBUSË PËR NDRYSHIMIN E MADH TË 14 SHKURTIT

Të nderuar bashkatdhetarë,

Ne, Qëndra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjermani, kemi kënaqësinë që të ju njoftojmë se do të udhëtojmë prap së bashku në drejtim të Kosovës me rastin e Zgjedhjeve Parlamentare. Sikur herën e kaluar, UDHËTIMI DO TË JETË FALAS.

Të gjitha të dhënat mbi orarin e nisjeve të autobusëve, vendnisjet dhe kontaktet e përgjegjësve tanë në autobusë i gjeni në fletushkën e bashkangjitur. Thirrjet për rezervime mund të bëhen çdo ditë nga ora 16:00 deri në ora 20:00 dhe pranohen deri më 4 shkurt 2021.

Siç jeni ndoshta edhe ju në dijeni mbi vendimet e shteteve të Evropës për masat anti-COVID, gjatë udhëtimit do të duhet t’i përmbahemi disa rregullave. Ju kemi siguruar dezinfektues për duar dhe maska të mjaftueshme. Po ashtu kemi vendosur që të mos i mbushim autobusët plotë me udhëtarë, në mënyrë që të mbahet një distancë e mjaftueshme mes njëri-tjetrit.

Me që personat me sëmundje të ndryshme dhe ata të moshuar janë më shumë të rrezikuar nga virusi, atyre nuk i sugjerojmë të udhëtojnë.