WBC urdhëron Furyn dhe Whyte të ndeshen, fituesi përballet me Wilder

Që Tyson Fury ta zhvillojë rimeçin e shumëpritur me Deontay Wilder, ai fillimisht duhet të fitojë kundër Dilian Whyte, pasi që Këshilli Botëror i Boksit (WBC) ka kërkuar që dy britanikët të ndeshen mes vete.

Tyson Fury dhe Deontay Wilder e kishin përfunduar meçin e tyre për titullin e kampionit të peshave të rënda të WBC-së me një barazim kontrovers, por deri më tani ata s’kanë arritur marrëveshje për zhvillimin e një rimeçi, transmeton Gazeta Express.

Tani, presidenti i WBC-së, Mauricio Sulaiman, ka thënë se britaniku 30-vjeçar duhet ta fitojë meçin kundër Dilian Whyte për ta fituar të drejtën e një rimeçi me Wilderin. Nëse Whyte fiton, atëherë ai do të ketë mundësi ta sfidojë Wilderin për titullin e kampionit të ËBC-së.

“Kur vjen puna te rimeçi Wilder – Fury, ËBC-ja i përdor kriteret tradicionale, duke thënë se fituesi i meçit Wilder – Fury duhet ta zhvillojë ndeshjen e detyrueshme kundër Dominic Breazale”, ka thënë Sulaiman për ThaBokxingVoice.

“Kështu që ne duhet ta urdhërojmë meçin mes Whyte dhe Furyt. Nëse ata e fitojnë ndeshjet, atëherë mund të ndeshen me Wilderin”.

“Ky vendim nuk u pranua nga Whyte, kështu që WBC-ja tani është duke e shqyrtuar apelimin e tij. Gjithçka do të zgjidhet brenda javëve në vazhdim”.

Wilderi do ta mbrojë titullin e tij kundër Dominic Breazale më 18 maj, në Barclays Center në Nju Jork. Në anën tjetër, Fury është duke u përgatitur për meçin kundër gjermanit Tom Schwarz më 15 qershor në Las Vegas.