Wilson: Tash është koha për marrëveshjen me Serbinë, e keni vëmendjen e politikës amerikane

Zëvendëspresidenti i Këshillit Atlantik, Damon Wilson, i cili po qëndron në Kosovë në krye të një delegacioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar sot gjatë ditës tre liderët e vendit ndaras.

Wilson në një intervistë ekskluzive në Info Magazine të Klan Kosovës ka treguar përshtypjet e tij për takimet me liderët kosovarë.

“Ishin takime shumë të mira. Jemi këtu me një delegacion të Këshillit Atlantik për të vazhduar me përkushtimin amerikan për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Jemi si pjesë e një delegacioni më të gjerë nga Kongresi për t’u angazhuar më shumë që të ndihmojmë që rajoni të ketë sukses”.

“Ishte kënaqësi që pata rastin sot që të takohem me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veselin për të theksuar mbështetjen amerikane për vendimet e vështira politike që merren, por edhe proceset e vështira dhe dialogun”.

“Premisa e punës sone është që derisa Kosova vazhdon të përparojë në vend, ne dëshirojmë që të jemi partner në aspiratat tuaja për të qenë pjesë e komunitetit transatalntik dhe Bashkimit Europian”.

Zëvendëspresidenti i Këshillit Atlantik ka thënë se dialogu me Serbinë është një proces i vështirë.

“Natyrisht që është proces i vështirë, por jemi në përvjetorin e 20-të të cclirimit ku kosovarët mund të përkufizojnë vet të ardhmen e tyre”.

“Kosova ende nuk është në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe ka pengesa mes të dyja vendeve që janë të kuptueshme nëse e kujtojmë se çfarë ka ndodhur në vitet ’98-99”.

“Puna e Këshillit Atlantik dhe puna ime është që t’i ndihmojmë shoqëritë t’i tejkalojnë këto procese që ish-kundërshtarët të bëhen partnerë. Nuk do të jetë një dialog i lehtë – do të kemi të mira dhe të këqija në këtë proces”.

Ai ka përmendur disa zhvillime në Ballkanin Perëndimor të cilat i konsideron si pozitive.

“Është arritur një përparim i madh deri tash. Mali i Zi është në NATO dhe e kemi Marrëveshjen e Prespës mes Shkupit dhe Athinës dhe të gjitha këto janë zhvillime të mira”.

“Më e rëndësishme tash është që të punohet për diçka që do të jetë me të vërtetë historike mes Prishtinës dhe Beogradit”.

Por, a është momenti i duhur për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë?

“Tash është koha. Ky është një momentum për rajonin – është e pazakontë që të kemi gjithë këtë bashkërendim dhe interesim në Washington sepse ka shumë konkurrencë për vëmendje atje, por edhe në shtetet e BE-së”.

“Ne kemi politikën tonë që është shumëpartiake dhe kemi edhe ciklin e zgjedhjeve”.

Ai ka thënë se ky proces e ka vëmendjen amerikane, por e ka tërhequr vërejtjen që kjo vëmendje mund të mos jetë gjithmonë kështu.

“Është një mundësi ideale që nuk duhet të humbet. Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar letra presidentit kosovar [Hashim Thaçit] dhe presidentit serb [Aleksandar Vuçiqit] për të theksuar se çfarë mund të ndihmojmë edhe ne për këto negociata të vështira”.

“E keni vëmendjen e qëndrueshme të politikës amerikane dhe duhet ta mirëmbajmë atë, por i inkurajoj njerëzit në Ballkan që mos ta marrim këtë si të mirëqenë”.