Ymeri përmend katër shkaktarët potencialë që dyshohet se degraduan Telekomin

0
281

Janë bërë një javë (nga 28 marsi) që kur Visar Ymeri, Kryesues i Komisionit Hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala, thotë se i ka kërkuar menaxhmentit dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm për këtë hetim. Dhe ende nuk kanë marrë asgjë nga menaxhmenti.

Në një konferencë për media, Ymeri thotë se në përgjigjen e kthyer të nesërmen Bedri Istrefi, Kryeshef Ekzekutiv i Telekomit ka kërkuar afat shtesë (përtej datës 3 prill të caktuar nga vet Ymeri) për kompletimin e dokumentacionit.

Kësaj kërkese i ishte përgjigjur Ymeri duke kërkuar dorëzimin e dokumentacionit të gatshëm dhe propozimin e një afati kur menaxhmenti mund ta dorëzojë pjesën tjetër të dokumentacionit.

“Edhe pse kjo letër e dytë i është dorëzuar menaxhmentit të hënën, Komisioni ende nuk ka marrë përgjigje në këtë çështje, e asnjë prej dokumenteve të kërkuara”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e dërguar nga PSD.

Kjo vonesë e menaxhmentit të Telekomit, thuhet tutje, bie ndesh me Ligjin për Hetimin Parlamentar i cili ia siguron Komisionit hetimor qasjen e pakufizuar në dokumentacion e prova (Neni Neni 13 pika 1.4.), si dhe obligon të gjitha institucionet, personat fizik a juridik, t’i dorëzojnë komisionit të gjitha dokumentet e provat e kërkuara (Neni 18, pika 4).

“Këtë vonesë në dorëzimin e dokumentacioni nuk mund ta kuptojmë ndryshe përveç se si pengesë në punën hetimore të Komisionit”, deklaroi Ymeri, në një konferencë shtypi të mbajtur sot, duke vazhduar se vonesat e tilla ngrenë dyshimin për sa i përket punës se Menaxhmentit dhe Bordit të Telekomit.

“Ose nuk po duan t’i dorëzojnë e kështu po veprojnë kundërligjshëm; ose nuk i dinë se ku dhe si t’i gjejnë e që flet për një inkompetencë të tmerrshme profesionale”, vazhdoi tutje Ymeri.

Ymeri tutje vuri në pah 4 shkaktarë potencialë të cilët dyshohen ta kenë sjellë Telekomin në këtë gjendje. Sipas tij, degradimi në këtë masë të Telekomit të Kosovës është shkaktuar nga këto veprime:

· Kontratat e nënshkruara me palët e treta;

· Punësimi – veçanërisht mbipunësimi që është bërë pa kurrfarë kriteri a nevoje, kryesisht i motivuar partiakisht e nepotist;

· Ndërhyrjet qeveritare – ndalja e proceseve e projekteve zhvillimore të bëra nga qeveria më 2009 dhe 2010 për qëllime të privatizimit të Telekomit, si dhe marrja e dividendës pa kurrfarë kriteri e plani që ia ka cenuar rëndë kapacitetin financiar e investues Telekomit, duke i krijuar kështu hapësirë të padrejtë operatorëve tjerë (IPKO me vonë Z Mobile);

· Shpenzimet e pakontrolluara të menaxhmenteve e bordeve të një pas njëshme për qëllime luksi.