Ymeri: Së shpejti e formojmë Partinë

Në emisionin “Debat Plus”, të RTV Dukagjini, deputeti nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, Visar Ymeri, ka thënë se GDP, ka filluar të diskutojë për partinë e re, për të cilën është shprehur se do të bëhet publik së shpejti.
“Natyrisht, që është e qartë rruga jonë, pas ndarjes nga Lëvizja Vetëvendosje, ne kemi filluar diskutimet në mënyrë që ta trajtojmë se cili do të jetë modaliteti jonë më i mirë, i vazhdimit tonë në skenën politike. Jemi drejt finalizimit të diskutimit për ta themeluar një subjekt të ri politik, të cilin do ta bëjmë publik së shpejti”, tha Ymeri, në RTV Dukagjini, përcjell tg.
Ai është shprehur se përveç aktivistëve të larguar nga Lëvizja Vetëvendosje, interesim për t’ju bashkuar GDP-së kanë shprehur edhe të tjerë që nuk janë pjesë e VV-së.
“Kemi diskutuar gjerë e gjatë, me deputetët, por edhe me të tjerët, sepse ka edhe një numër të madh të aktivistëve që kanë dalë nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe të tjerë që nuk kanë qenë në VV, e që duan të bashkohen dhe ta shohin se çfarë forme e programit do ta ketë subjekti i ri.
Kemi dashur ta shfrytëzojmë këtë kohë në mënyrë që të kemi hapësirë për të gjithë ata që janë të duan të jenë pjesë e një subjekti të ri politik e cila do ta paraqes këtë fondamentin social demokrat në Kosovë”, tha Ymeri.