Zbulohen dy kanale në Hungari, që shfrytëzoheshin nga refugjatët për të ikur nga Serbia

Policia hungareze i ka zbuluar dy kanale, të hapura në kufi me Serbinë, të cilat shfrytëzoheshin nga refugjatët për të ikur.

Gjatë patrullimit afër pikave kufitare, është gjetur një kanal i hapur në Asotthalom dhe një tjetër në Csikeria, të dyja afër rrethojës metalike, që për katër vite i ndanë këto dy shtete, transmeton Telegrafi.

“Kemi gjetur dy tunele, që janë hapur me dorë, të cilat nuk kishin asnjë strukturë mbajtëse, duke rrezikuar që të shemben në çdo moment”, thuhet në raportin e policisë.

Në të njëjtën kohë, janë arrestuar 44 refugjatë që dolën në Hungari, por nuk është bërë i ditur se prej nga janë.

Derisa njëri prej tyre ishte i gjatë 35 metra, tjetri nuk ishte më i gjatë se 20 metra. Autoritetet i kanë mbushur me dhe këto tunele që janë hapur kohëve të fundit, ndërsa hyrjet e tyre ishin fshehur me disa shtresa.

Numri i njerëzve që duan të hynë në Hungari në mënyrë ilegale është shumë i madh, pasi prej aty largohen nëpër shtetet më të pasura të Bashkimit Evropian.

Vetëm gjatë javës së kaluar, kanë kaluar 800 njerëz, krahasuar me 80 që kishin kaluar gjatë kohës së njëjtë të vitit të kaluar.