Zeka: “Bëj PDK-ja, flladit LDK-ja”

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka hedhur akuza të shumta në drejtim të dy partive, PDK e LDK.

Ai ka thënë se këto dy parti janë kryesoret për krimin e organizuar në Kosovë.

Sipas tij, PDK-ja dhe LDK-ja kanë kryer shumë krime ekonomike në Kosovë, e asnjëra s’janë hetuar “sepse në krye të hetuesisë për këto krime ekonomike i kanë vënë njerëzit e vet”.

“Në fillim të fjalës së tij, shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, paraqiti akuza të rënda dhe me vend ndaj PDK-së, por harroi qëllimisht dhe injoroi qëllimisht kreun e LDK-së. Me e bë një gjë të tillë para qytetarëve është sikur me thënë që s’e kemi pa arushën e Prizrenit, kur e kanë pa krejt qytetarët. Krejt krimin në Telekom e kanë bërë PDK-ja dhe LDK-ja. Bëj PDK-ja, flladit LDK-ja”, ka thënë Zeka.

Ai ka përmendur shumë emra për shkatërrim të PTK-së, teksa ka veçuar ish-shefin Agron Mustafa për të cilin tha se kreu varrimin e Telekomit. Teksa e ka quajtur kriminel Mustafën, Zeka ka shtuar se bordet në Telekom i kanë ndarë dy partitë, ndërsa të gjithë drejtorët ishin nga PDK-ja.

Ka thënë se në nëntor të vitit 2005 Vala i kishte dhënë kredi rivalit Ipkos për t’u zhvilluar. Sipas tij, përgjegjës për këtë ishte ish-ambasadori i Kosovës në SHBA Akan Ismajli.

Lini një Përgjigje