Zeka – Sherifit: Kam hyrë në autobusin e Nismës, por në Kuvend nuk më ‘han palla’ për asnjë parti

0
484

Deputeti Milaim Zeka ka komentuar deklaratat e mbrëmshme të shefit të Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, i cili tha se në partinë e tij nuk mund të kërkohet llogari për deklaratat e Zekës.

Në një deklaratë dhënë Periskopit, Zeka ka thënë se ai ka hyrë në ‘autobusin e Nismës’, por që në të vërtet në Kuvend përfaqëson përveç votuesve të Nismës, edhe ata të PDK’së e të AAK’së, pasi ka qenë pjesë e listave të koalicionit PAN.

Tutje, Zeka i ka thënë Periskopit se brenda sallës së Kuvendit “nuk i han palla” për asnjë parti politike, derisa në Komisione parlamentare i ndjek politikat e Nismës.

“Nuk jam në partinë Nisma, por unë kam hyrë në autobusin e Nismës. Ne që kemi dalë nga PAN’i jemi deputetë të tri partive politike, dhe unë përfaqësoj edhe votues të AAK’së, PDK’së e Nismës. Dikah është dashtë me hi. Qëndron ajo deklaratë e Sherifit sepse nëse unë nuk e përfaqësoj Nismën, ju nuk mund të kërkoni llogari aty se çka flas unë. S’jam përfaqësues i Nismës unë. Vetëm në Komisione parlamentare i ndjek politikat e Nismës. Ndërsa brenda Kuvendit nuk më hanë palla për asnjë parti politike. I ndjek vetëm politikat e qytetarëve të Kosovës. Kur flas në foltore kurrë s’mendoj cilës parti i përkas. Ka raste kur përkrahu nisma të VV’së, LDK’së apo PSD’së. Dmth, të gjitha partive politike”, ka thënë Zeka për Periskopi.

Mbrëmë në një debat televiziv, Sherifi ka thënë se Milaim Zeka asnjëherë nuk ka qenë pjesë e strukturave të NISMA-s.

“Zoti Zeka nuk është deputet i NISMA-s. Zeka njëherë ka dashur të kandidojë si i pavarur. Kur është njoftuar me infrastrukturën ligjore se duhet të merr 3% të votave për të hyrë në parlament, ka kërkuar një vend një kuotën e NISMA-s në kuadër të koalicionit PAN”.

Ai kërkoi nga gazetarët që të mos kërkojnë llogari në Nisma për deklaratat e Zekës.

“Pasi ne i kemi ofruar në vend në listën e kandidatëve për deputetë, më kujtohet kryetari Limaj në një konferencë për shtypë u ka thënë gazetarëve: Sa herë të flet Milaimi mos ejani te unë të më kërkoni demant”.

Sherifi thotë se edhe pse Zeka është pjesë e Grupit Parlamentar të NISMA-s, ai është i lirë të ketë mendimin e tij për çështje të caktuara.

“Ai është pjesë e Grupit Parlamentar sepse ka marrë edhe votat e NISMA-s, por zoti Zeka është i lirë të ketë mendimin e tij për çështje të caktuara por edhe votë të lirë. Le ta quajmë deputetë i pavarur brenda koalicionit dhe brenda NISMA-s”, tha ndër të tjera Bilall Sherifi.

Jashtë Kuvendit, nuk kanë qenë të rralla deklaratat thumbuese mes Zekës dhe Sherifit, të cilët kanë shprehur hapur kundërshtitë që kanë pasur me njëri tjetrin./PERISKOPI