Zeqiri: Ky shekull ka pasur nevojë për “Epokën e re”

0
99

Shkruan: Sadik Zeqiri

Kur ka dalë nga shtypi numri i parë i gazetës “Epoka e re” unë nuk kam qenë pjesë e saj. Isha ende në kazamatet serbe duke vuajtur dënimin që ma kishte caktuar gjykata e Serbisë. Pasi jam liruar nga burgu, botuesi i gazetës, Muhamet Mavraj, erdhi për të më vizituar në shtëpi. Fjalët e tij, kur mbaroi vizitën në shtëpinë time, ishin: “Pusho sa të duash dhe pas pushimit eja në Prishtinë, se na pret një punë e madhe”. Kam ardhur në redaksinë e gazetës “Epoka e re”, në pallatin e shtypit, në katin e 12-të. Aty kam takuar shumë gazetarë e bashkëpunëtorë të gazetës. E kam takuar Mavrajn i cili më vonë më ka ngarkuar me detyrën e sekretarit të redaksisë, më pas drejtor financiar e dikur drejtor i përgjithshëm, detyrën që e bëj ende. Por gjatë kësaj periudhe kemi pasur edhe ditë të lavdishme dhe të hidhura. Lavdia është vetë ajo kur i gjithë tirazhi i shtypur shitej që në mëngjes, ndërsa ditë vuajtjesh kisha kur, për një kohë të gjatë gazeta shtypej në shtypshkronja të Maqedonisë, gazeta vonohej për rrjetin e shpërndarjes dhe pasi veturat niseshin për qytete të Kosovës, “Epoka” mbetej në magazinat e “Rilindjes”. Për të mos mbetur në magazinat e “Rilindjes”, shumicën e herëve unë dhe “Daja”, Shkëmbim Krasniqi, merrnim rrugë në dy drejtime të Kosovës. Ai për Ferizaj e Gjilan, unë për Dukagjin e anë tjetër, për ta shpërndarë gazetën nëpër pikat e rrjetit privat dhe rrjetit të “Rilindjes”, vetëm që gazeta të jetë në duart e lexuesve.

Për t’i mbushur 20 vjet jetë gazeta “Epoka e re” dhe për ta botuar numrin e 6000 duhet falënderuar botuesin Muhamet Mavraj, lexuesit që na qëndruan besnikë deri sot e që shpresojmë edhe në të ardhmen. Duhet falënderuar të gjithë ata që na mbështetën dhe na besuan ta reklamojnë biznesin e tyre, ata që na dërguan urime dhe njoftime për festa e ditë të zakonshme, ato institucione lokale dhe qendrore të Kosovës që na dërguan konkurse, shpallje dhe njoftime, pa të cilat nuk do të mund të mbijetonim. Duhen falënderuar edhe shtypshkronjat që patën mirësinë dhe durimin, që edhe atëherë kur e vononim gazetën për ta dorëzuar në shtyp, na pritnin. Faleminderit edhe rrjeteve të shpërndarjes që bënë shpërndarjen e gazetës dhe që vazhdojnë ta shpërndajnë të njëjtën punë ende!