Zëvendësja e Kurtit do të marrë pjesë në diskutimet e ambasadës amerikane për Asociacionin

63

Më 31 janar, Ambasada e Amerikës do të organizojë një diskutim për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe (ASM) në Kosovë. Kështu ka bërë të ditur Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

“Më 31 janar, Ambasada e Amerikës do të organizojë një diskutim për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kemi ftuar drejtues të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë për të diskutuar këtë temë të rëndësishme”, thuhet në kumtesën e ambasadës.

Këtu pritet të marrë pjesë edhe zëvendës-kryeministrja nga radhët e komuniteteve, Emilia Rexhepi.

Kjo e fundit, në një prononcim për Paparacin e ka konfirmuar praninë e saj. “Po e kam pranuar ftesën. Do të jem prezent në atë organizim”.

Asociacioni i Komunave Serbe vazhdon të jetë një pikë e zezë në dialogun Kosovë – Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i gatshëm për një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, Kurti nuk duket i gatshëm për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Së paku, jo në intervista. Ai është deklaruar pothuajse në të gjitha intervistat kundër “Asociacionit një etnik”.

“Në Kosovë ne nuk mund të kemi një asociacion ose çfarëdo institucioni ose organizate të bazuar vetëm në një etni. Asnjë serbë i Kosovës nuk më ka shkruar letër për të më kërkuar një Asociacion të bazuar në etnicitet. Ata duan punë, drejtësi, por asnjëri nga ta nuk e do këtë Asociacion. Është Beogradi që insiston në të” – theksoi Kurti për Al Jazeeran.