Zjarr i madh në një servis në Durrës, digjen makinat (Video)

Një zjarr i fuqishëm përfshiu sonte në mbrëmje një servis automjetesh në Durrës, ku për pasojë janë djegur një numër i konsiderueshëm makinash që ndodheshin aty në ato momente. “Lufta” me flakët ka vijuar për disa minuta, ku fatmirësisht u vunë në kontroll, edhe pse pati dëme të shumta materiale.

Servisi i përfshirë nga flakët ndodhej në vendin që njihet si “Mulliri i Bullgarit” në zonën e Njësisë Administrative Xhafzotaj dhe për shuarjen e flakëve u angazhuan të gjitha forcat dhe mjetet e zjarrfikëseve të Durrësit, më konkretisht vendngjarje kanë shkuar 5 makina zjarrfikëse.

Report tv raporton se pati edhe evakuim të banorëve të zonës përrreth derisa flakët u vunë nën kontroll. Gjithashtu, Shërbimet e Policisë rrugore të Durrësit devijuan e qarkullimit dhe mos lejimin e kalimit të asnjë automjeti në afërsi të servisit të përfshirë nga flakët.

Ende nuk dihet se cili ishte shkaktari i këtij zjarri, teksa sqarohet se grupi hetimor po merret me zbardhjen e kësaj ngjarje.