Zjarr në një ndërtesë në Cyrih, lëndohen gjashtë persona

Një ndërtesë apartamentesh në qendër të Cyrihut është kapluar nga zjarri gjatë mbrëmjes së të shtunës, shkruan swissinfo.ch. Sipas raporteve të para të policisë, gjashtë persona janë lënduar, e njëri prej tyre ka marrë lëndime më serioze, përcjell albinfo.ch.

Zjarri shpërtheu pak para mesnatës, sipas një punëtori të Qendrës së Angazhimit të Policisë Bashkiake të Cyrihut, cituar nga agjencia e lajmeve Keystone-SDA.

Ai po ashtu tha se zjarri kishte dëmtuar edhe disa ndërtesa që ndodheshin afër.

Zjarrëfikësit kishin nxituar për në vendngjarje, dhe në orën një pas mesnate, e kishin marrë situatën nën kontroll. Policia nuk dha detaje të mëtutjeshme për incidentin.