Zogaj: Nuk kam marrë premtim nga Kurti që kërkesat e grevistëve për shtesat do të realizohen

0
194

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ka thënë se ka takuar kryeministrin Albin Kurti, ku ndër të tjera është diskutuar mbështetja e gjyqësorit.

Por thotë se specifikisht nuk ka marrë premtim nga kryeministri që kërkesat e grevistëve për pagesën e përkohshme shtesë, do të realizohen.

“Jo nuk ka pas premtim për shujtën dhe për pagesën lineare, por që ka qenë një zotim i kryeministrit edhe në një shkëmbim letrash që e kemi pas në një periudhë të mëhershme që kryeministri, qeveria e mbështet gjyqësorin, në këtë rast e mbështet edhe nevojën e adresimit të kërkesave të administratës gjyqësore”, është shprehur Zogaj në tëvë1.

Sipas tij, kanë pasur zotim nga Ministria e Drejtësisë (MD) që në një periudhë të shkurtër të hartohet Ligji për Pagat, ku do të përfshihen edhe punonjësit, por që ideja është të kemi një koeficient formal dhe jo paga lineare.

“Edhe Ministria e Drejtësisë përveç se ka pas zotim, do të thotë ka shpreh edhe gatishmërinë edhe realisht veç është mbajtë takimi i parë i grupit punues i ligjit mbi administratën gjyqësore, që të hartohet ky ligj në një kohë rekord dhe rrjedhimisht në një përfshirje edhe të sindikatave, këto kërkesa të adresohen brenda Ligjit për Pagat, pa folë specifikisht për çështjet siç është shujta, transporti apo pagesa lineare. Sepse, thashë edhe në fillim që ideja është që të kemi edhe koeficientin formal dhe jo shtesa”, ka thënë ai.