Zuckerberg ultimatum Evropës: Na lejoni transferimin e të dhënave ose tërheqim produktet

0
127

Aplikacionet e njohura të mediave sociale në pronësi të Meta-s, përfshirë Facebook dhe Instagram, mund të ndalohen në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë.

Mark Zuckerberg ka kërcënuar se do të tërheqë shërbimet kryesore nga rajoni pas një mosmarrëveshjeje mbi ligjet për mbrojtjen e të dhënave me Evropën.

Meta ka lëshuar në heshtje një paralajmërim duke thënë se mund të mbyllë shërbimet nëse Evropa nuk e lë të kryejë transferime transatlantike të të dhënave.

Kjo nënkupton transferimin e të dhënave private të njerëzve nga serverët e sigurt në Evropë, ku ato janë shumë të rregulluara, në ShBA, raporton DailyStar, transmeton Klankosova.tv.

Në një raport vjetor për një agjenci të qeverisë amerikane, Meta tha se kompania ndoshta do të duhet të ndalojë ofrimin e produkteve dhe shërbimeve më të rëndësishme nëse nuk miratohet një kuadër i ri.

Ndërsa Meta pretendon se ndarja e të dhënave mes vendeve dhe rajoneve është kritike për ofrimin e shërbimeve të saj, Gjykata Evropiane e Drejtësisë e ka penguar atë që ta bëjë këtë që nga korriku i vitit 2020. Kjo është kryesisht për të mbrojtur përdoruesit në të gjithë Evropën nga ndarja ose shitja e të dhënave të tyre pa dijeninë e tyre .

Modeli i biznesit i Facebook mbështetet pothuajse tërësisht në reklamat, të cilat i çojnë të dhënat personale të përdoruesve për të tregtuar dhe për t’u shitur produkte atyre.

Gjigandi i teknologjisë është vënë nën kritika gjatë viteve për mënyrën sesi algoritmet e tij synojnë përmbajtjen te përdoruesit sipas këtij modeli dhe është përballur me akuza për lejimin e përhapjes së dezinformatave.