Zvarritet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, Baraliu tregon afatet për krijimin e Qeverisë

Janë bërë dy javë që kur në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare, mirëpo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka arritur t’i certifikojë rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Madje, shkaku i gabimeve në formularë shumë vendvotime kanë shkuar në rinumërim. Fillimisht janë rinumëruar 314 vendvotime, e më pas është vendosur që edhe 530 të tjera të rinumërohen për shkak të problemeve kryesisht teknike.

Lidhur me zvarritjen e certifikimit të rezultateve dhe afatet për krijimin e Qeverisë së re për Telegrafin ka folur njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu.

Ai tregoi se cilat janë procedurat që duhet ndjekur në mënyrë që të krijohet Qeveria e re.

“Formimi i Qeverisë është i lidhur me konstituimin e Parlamentit dhe me Kushtetutë pra pas certifikimit të rezultateve përfundimtar të zgjedhjeve, nga presidenti caktohet mbledhja e parë e Kuvendit e legjislaturës së shtatë, bëhet verifikimi i mandateve, bekimi i deputeteve, pastaj me Kushtetutë jepet mandati partisë më të madhe fituese ose koalicionit ma të madh e cila duhet ta mandatojë një njëri për kryeministër dhe në një afat prej dhjetë ditësh do të duhet ta dorëzojë listën e kabinetit, anëtarëve të qeverisë tek presidenti”, ka theksuar ai.

Njohësi i proceseve zgjedhore dhe çështjeve juridike, Mazllum Baraliu

Mirëpo nëse dështon partia e parë fituese e zgjedhjeve të krijojë Qeverinë, Baraliu tregoi se cili është opsioni i dytë.

“Është edhe një afat tjetër që mund t’i jepet mandati grupit të dytë, i cili në afat prej 15 ditësh do të duhej ta bënte Qeverinë, e cila më shumicë votash do të duhet të votohet në parlament dhe të fillojë punën e saj. Nëse edhe kjo nuk ndodhë në afat, brenda 60 ditësh presidenti shpallë zgjedhjet të reja brenda 40 ditësh”, ka potencuar ai.

Ndërkohë në Qendrën për Numërim dhe Rezultate është duke vazhduar rinumërimi i 530 vendvotimeve. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, përmes ftesës publike ka kërkuar ndihmën e Prokurorisë dhe të Policisë që të jenë prezent brenda objektit të QNR-së, lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale të keqpërdorimeve të mundshme në kuadër të procesit zgjedhor 2019.

Pas kësaj kërkese, Prokurori i Shteti ka informuar opinionin se bashkë me hetuesit nga Policia e Kosovës, do t’i përcjellin dhe verifikojnë pretendimet e parashtruara nga KQZ-ja.

Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare të cilat janë mbajtur më 6 tetor kanë votuar 812 mijë e 49 votues apo 44.18 për qind.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, partia e parë është Vetëvendosje me 25.50 %, pas saj radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.83 %, kurse Partia Demokratike e Kosovës radhitet e treta me 21.25%. Ndërsa koalicioni AAK-PSD në zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë 11.57 për qind, si dhe koalicioni NISMA-AKR nuk ka kaluar pragun zgjedhor.