Zyra për kategoritë e dala nga lufta mohon se lëshon certifikata për statusin e veteranit

Zyra për Kategoritë e Dala nga Lufta që funksionon në kuadër të kryeministrisë, ka reaguar ndaj deklaratës së OVL-së së UÇK-së lidhur me pretendimet e kësaj të fundit se po vazhdon lëshimi i certifikatave të veteranëve.

Përmes një reagimi nga drejtori i Zyrës së Kategorive të dala nga lufta, Gazmend Syla, thuhet se është mandate i Komisionit që të konstatojë statusin e dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit dhe pjesëtarit të UÇK-së.

Kjo zyre ka sqaruar se të vetmen certifikata që janë shtypur, janë ato të veteranëve- pjesëtar, dhe veteran-pjesëmarrës.

Reagimi i plotë:

“Duke u bazuar në ligj dhe rregullore, sqaroj si në vijim: Është mandat i Komisionit që të konstatojë Statusin e dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së, veteranit, pjesëtarit të UÇK-së dhe të internuarit të UÇK-së.

Përgjegjësitë e Zyrës për Çështjet e Kategorive të dala nga lufta janë të përcaktuara në nenin 17 të Ligjit nr. 04/L-054; dhe ajo nuk ka të drejtë të lëshojë certifikata apo vërtetime të cilat nuk janë në përputhje me klasifikimin e kryer nga Komisioni. Komisioni, pjesë e të cilit unë nuk kam qenë fare, nuk ka më mandat, që nga janari 2017, ndërkohë që tërë arkivi gjendet në Prokurorinë e Shtetit për interes të hetimeve.

Të vetmet certifikata që janë shtypur gjatë mandatit tonë, janë ato të kategorive Veteran-Pjesëtar dhe Veteran-Pjesëmarrës, në bazë të listave emërore që i kemi nga Komisioni Qeveritar, si dhe certifikatat e humbura, dëmtuara apo ato me gabime teknike.

Gjatë mandatit tim si drejtor i ZÇKL, kam qenë shumë korrekt dhe bashkëpunues me Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së dhe kërkoj nga ta, që të mos e përdorin situatën parazgjedhore, për të lëshuar komunikata me qëllime thjeshtë politike.

Përkundër asaj që pretendohet, Zyra për Çështjet e Kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së ka bashkëpunuar ngushtë me organet e rendit dhe të drejtësisë për parandalimin dhe zbulimin e keqpërdorimeve të mundshme të statusit të Veteranit, Invalidit e Dëshmorit të UÇK-së. Kjo mbase i ka penguar dikujt. Shpresojmë që jo Shoqatave.”