285 raste të pickimit të rriqrave

Pos pandemisë me COVID-19, Kosova po ballafaqohet edhe me pickimin e rriqrave.

Sipas IKSHP-së, deri më tani në vatrat që konsiderohen si endemike janë regjistruar 285 raste të pickimit të rriqrave.

Vatrat endemike të pickimit të rriqrave janë në Malishevë, Suharekë, Rahovec, Prizren e Mamushë. IKSHPK-ja ka dhënë disa rekomandime për qytetarët.

“Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre, Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë, Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën), Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër, Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre. Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt. Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe). Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi. Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë.”, thotë IKSHPK.

Ndërkohë komuna e Malishevës ka bërë të ditur se nesër do të fillojë dezinsektimi selektiv të zonave endemike, kundër rriqrave, si bartës të virusit të etheve hemorragjike.

“Dezinsektimi përfshin hapësirat publike dhe private në zonat endemike. Dezinsektimi i zonave endemike do të filloj nga ora 08:00 në mëngjes dhe do të vazhdoj deri në mesditë, dhe me këtë rast luten qytetarët që ti marrin masat e duhura preventive, në veçanti luten bletarët për kujdes të shtuar. Dezinsektimi do të bëhet sipas këtij orari: 07.05.2020- në Lladrovc, 08.05.2020- në Senik 09,10 dhe 11,05.2020- në Banjë”, thuhet në njoftim.